Lajme

Abdixhiku: Procesi i Berlinit është interes për Kosovën, Ballkani i Hapur nuk është


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se është për procesin e Berlinit, mirëpo kundër Ballkanit të Hapur.

Sipas tij, Ballkani i Hapur është projekt politik.

“Ne procesin e Berlinit ka garanci institucionale që është përtej Tiranës e Beogradit e Prishtinës dhe e dyta janë pjesëmarrëse gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe sipas të gjitha gjasave fokusi gjerman i ri do të jetë në Procesin e Berlinit”, ka deklaruar ai në intervistën për mediumin “ATV”.

“Procesi i Berlinit është interes për Kosovën, ndërsa Ballkani i Hapur nuk është, është projekt politik nuk është projekt ekonomik”.

Ndërsa, ka folur edhe për qasjen e Shqipërisë në këtë proces.

“Qasja që të e shpallim Shqipërinë tradhtare është e gabueshme dhe këtu unë s’pajtohem”.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

I pyetur për skandalet që është duke u përfolur të jetë përfshirë ministria e Infrastrukturës dhe këshilltaret e këtij dikasteri, ka thënë se gjatë kohës kur ai e ka udhëhequr ka qenë njëra ndër ministritë më të mirë.

Ndërsa, konsideron se me këtë çështje “duhet të merret prokuroria”.

“Gjatë 100 ditëve sa kemi qenë në ministri ka qenë njëra ndër ministritë më të pastërta që ka pasur Kosova ndonjëherë, përveç ndalimit të aferave korruptive 54 milionëshe që e kemi bërë ne me vendim të Qeverisë përveç anulimit të projektit 110 milionëshe që veç ishte ndarë projekti për atë pazar”.

Ai sqaroi se LDK, do të e mbështet çdo ligj që nuk është në kundërshtim me Kushtetutën.

Ndër të tjera, për protestën e veteranëve dhe qasjes së Kurtit ndaj tyre ai potencon se kreu i ekzekutivit është duke u treguar arrogant.

“Qasja e Kurtit ndaj veteranëve është arrogante, unë besoj që kategorizimi do të ishte shumë më i mirë veteranët që kanë luftuar dhe ata që kanë qëndruar si përfaqësues politik pagat nuk mund të jenë të barabarta”, u shpreh Abdixhiku.

Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje ka humbur një numër të madh të votuesve gjatë kësaj periudhe.

“Asnjë parti nuk ka rënë më shpejt sa i përket numrave sesa Lëvizja Vetëvendosje”.

Ndryshe për mospjesëmarrje në Ballkanin e Hapur, Kosovën e ka kritikuar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, duke thënë se ajo “merret me teori konspirative, në vend se të jetësojë bashkëpunimin”.

Shtetet e Bashkuara, përmes të të dërguarit të tyre për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, kanë shprehur bindjen se nëse “Ballkani i Hapur” nuk përfshin të gjashtë shtetet e rajonit, nisma nuk do të funksionojë.

Në një konferencë të nismës, që është mbajtur në nëntor të vitit të kaluar në Beograd, Escobar ka thënë se iniciativat rajonale duhet të jenë në mënyrë të barabartë të hapura për të gjitha shtetet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore