Lajme

Abdixhiku: LDK nuk do ta marr për model VV-në për opozitarizëm, do të ruajmë integritetin


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka thënë se njerëzit e qeverisë Kurti, në të kaluarën kanë sulmuar objektin e Kuvendit të Kosovës, duke shtuar se LDK nuk do të marr për model një opozitarizëm të tillë çfarë ishte Lëvizja Vetëvendosje (VV) sa ishte në opozitë.

“Në një gjendje të tillë pres që të tregojnë respekt, të falsin hapur, të përplasemi me deri dhe në fund të ditës të vendosim me votë të lirë e demokratike”.

“Nuk marr mësime nga njerëz që këtë Kuvend e kanë goditur me mjete luftarake, minahedhës. Nuk dua të komentoj më shumë. Nuk do të lejojmë një situatë të tillë. Minimalisht që do të bëjmë është që të ruajmë integritetin tonë”, ka deklaruar Abdixhiku në emisionin Presing në T7.

Ndërsa sa i përket deklarimeve të tij në Kuvendin e Kosovës, kur i tha kryeministrit Albin Kurti që ta “lidhë zëvendëskryeministrin”, Bislim Bislimi, tha se zyrtarët e qeverisë ofendojnë në vazhdimësi kolegët nga ana e opozitës.

I pari i LDK-së ka thënë se qeveria nuk ka plan zhvillimor dhe se pas përfundimit të mandatit nuk do të ketë asgjë për të treguar, sepse ajo ka braktisur çdo kauzë të saj dhe se në vitin e saj të parë nuk u bë asgjë që vlen të përmendet.

“Viti i parë vetëm shkoi. Tash i kanë edhe dy vite. Viti i katërt është vit zgjedhor. Qeveria nuk do të përfundojë asnjë projekt madhor në mandatin e saj”, është shprehur Abdixhiku.

“Financiarisht është i pamundur. Koha nuk e lejon. Më thoni, pas katër viteve si do të mbahej mend qeveria nëse nuk ka asnjë projekt madhor. Edhe projekti zhvillimor lë shumë për të dëshiruar. Nuk po flas vetëm në ekonomi, por edhe në arsim, shëndetësi e çdo fushatë tjetër”.

“Katër kriza globale e goditën Kosovën. Për asnjërën nuk ishte i gatshëm kryeministri dhe kjo qeveri”, ka thënë ai.

 

Abdixhiku: Qytetarët nuk e panë rritjen ekonomike

I pari i LDK-së sa i përket rritjes ekonomike të cilën po e pohon qeveria se Kosova ka pasur rritje ekonomike thotë se është e vërtetë, por se matjet dhe krahasimet nuk janë të sigurta dhe se nuk dihet saktë rritja, por se kjo rritje ka ardhur si pasoj e “boomit post-pandemik”.

“Por duhet ta keni parasysh se kjo krahasohet me vitin 2020. Pra në vitin kur kishim mbyllje totale. Edhe vendet e rajonit dhe botë kanë rritje të madhe. Kjo për faktin se pas pandemisë erdhi hapja”.

“Tash nuk e dimë saktë sa ka qenë rritja. Banka Botërore po thotë diku 7%. Bana Qendrore 9.9%, rritja erdhi edhe si pasojë e inflacionit. Çmimet u rritën”, është shprehur ai duke shtuar se njerëzit e thjeshtë “nuk e panë këtë rritje”.

“Dilni dhe pyetni vetë. Rritja e çmimeve ka ndikuar tek standardi njerëzor”, ka deklaruar Abdixhiku.

Ai përballë analistëve po diskuton për një vjetorin e qeverisë Kurti, për të cilën ka kritika për menaxhimin dhe keqqeverisjen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore