Lajme

Abbott: Vizita e Cameron erdhi në një kohë të rëndësishme


Nicholas Abbott, Ilir Kapiti dhe David Cameron

“Vizitë e rëndësishme në një kohë të rëndësishme”.

Kështu e ka cilësuar vizitën e Ministrit të Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron në Kosovë, ambasadori britanik, Nicholas Abbott.

Përmes një sërë postimesh në platformën sociale, X, diplomati britanik në Kosovë, ka përmbledhur vizitën njëditore të Cameron në Kosovë, duke theksuar se me qëndrimin e tij në Kosovë ka rikonfirmuar mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar për sovranitetin, sigurinë dhe prosperitetin e Kosovës.

“Pjesa më e madhe e vizitës së Cameron u fokusua në takime të rëndësishme me presidenten, kryeministrin, ministren e Punëve të Jashtme dhe ushtarakët britanikë të dislokuara në Kosovë”, shkroi fillimisht Abbott.

Diplomati britanik, veçanërisht ka mbetur i kënaqur që Cameron takoi anëtarë të familjeve të personave të zhdukur si dhe një të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Abbott ndër të tjera ka njoftuar se Cameron gjatë qëndrimit në Kosovë ka vizituar edhe Manastirin e Graçanicës.

“Cameron pati mundësinë të diskutojë rëndësinë e mbrojtjes së rolit fetar të Kishës Ortodokse Serbe, si dhe rolin jetik të autoriteteve fetare në nxitjen e stabilitetit në të gjitha komunitetet”, potencoi Abbott.

Të gjitha këto takime, sipas Abbott, nënvizuan nevojën e parandalimit të rikthimit të konfliktit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, në një kohë sfidash globale.

“Siç e bëri të qartë Cameron në takimet e tij, nuk ka asnjë alternativë për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura përveçse përmes dialogut dhe zbatimit të plotë të marrëveshjeve të mëparshme”.

Mesazhet dhe porositë e “Dave”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore