Lajme

Abbott kërkon nga Kosova dhe Serbia të arrijnë përfundimin e çështjes së të pagjeturve


Ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbot.

Ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott, në Ditën Ndërkombëtarë e të Zhdukurve me Dhunë ka bërë thirrje nga pala kosovare dhe ajo serbe, që të punojnë bashkërisht, për të siguruar një përfundim për çështjen e të pagjeturve.

Abbot përmes një cicërime në rrjetin social ‘Twitter’ ka bërë të ditur se ka vizituar njëri nga familjarët e të pagjeturve.

”Për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjes me Dhunë, vizitova Bekim Gashin në Suharekë. Në masakrën e Ternjes në mars të vitit 1999, Bekimi humbi nënën dhe katër motrat e tij, si dhe anëtarë të tjerë të familjes dhe miq të cilët janë ende të zhdukur”.

Abbot u shpreh që të gjithë familjarët që i kanë të zhdukur më të dashurit e tyre meritojnë drejtësi.

“Bekimi dhe të tjerët si ai meritojnë drejtësi, por më e rëndësishmja ata meritojnë që të dashurit e tyre të kthehen dhe të prehen me dinjitet.

“Unë përsëri u bëj thirrje të dyja palëve që të punojnë së bashku për të siguruar një përfundim për viktimat dhe familjet e tyre”.

Edhe, krerët institucional në Ditën Ndërkombëtare të Pagjeturave, kanë bërë homazhe të martën në Prishtinë, para obeliskut për personat e pagjetur.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, në vitin 1999, rreth 6 mijë e 500 persona kanë qenë të zhdukur.

Që nga ajo kohë janë kryer disa zhvarrime në varreza masive në Kosovë dhe Serbi dhe deri më tash janë gjetur rreth 70 për qind e të zhdukurve.

Sipas autoriteteve në Kosovë, të pagjetur vazhdojnë të jenë edhe rreth 1 mijë e 630 persona, kryesisht shqiptarë.

Në luftën e fundit në Kosovë sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, janë vrarë rreth 13 mijë e 500 persona. Shumica prej të vrarëve janë civilë shqiptarë.

Nga viti 2000 e deri në vitin 2008, krimet e luftës në Kosovë janë hetuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara (UNMIK), ndërsa që nga viti 2008 Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) është përgjegjës për hetimin e krimeve të luftës.

Në vitin 2018, ky mision i ka dorëzuar dokumentet në Prokurorinë e Kosovës dhe në gjykatat vendore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore