Lajme

Abazoviq flet pas ofendimeve nga protestuesit


Dritan Abazoviq i përballur me protestuesit

Zëvendëskryeministri i Malit të Zi dhe lideri i Lëvizjes Qytetare URA, Dritan Abazoviq tha se nuk është zemëruar nga ofendimet e rënda të qytetarëve, por se do t’ua tregojë gjithmonë vendin, siç tha ai, atyre që nxisin urrejtje dhe ulen në kolltuqe.

Tutje ai ka deklaruar se gjatë mbrëmjes të së premtes ishte ballafaquar me qytetarët me të dalë nga televizioni publik, RTCG, ku kishte folur rreth krizës qeveritare në shtetin malazez.

Disa prej protestuesve të mbështetur nga partitë pro serbe e kanë ofenduar në baza të kombësisë, por që politikani shqiptar nuk ka rënë në provokimet e tyre.

“Të ecim në rrugën e pajtimit dhe të dalim nga matrica e së shkuarës. Nuk më vjen keq për fjalët e shëmtuara të qytetarëve dhe mbroj të drejtën e tyre për të protestuar dhe shprehur pakënaqësinë”.

“Shumë padrejtësi janë grumbulluar ndër vite, ndaj është e logjikshme që të ketë një reagim të tillë. Unë gjithmonë do t’ua tregojë se ku e kanë vendin ata”, ka shkruar Abazoviq në rrjetin social Facebook.

Dritan Abazoviq

Ai në shkrimin e tij ka thënë se nëse kanë mundësi të formojnë qeveri, ajo do të jetë qeveri e pajtimit.

“Të gjithë janë të mirëpritur: malazezë, serbë, boshnjakë, shqiptarë, kroatë, ortodoksë, katolikë, myslimanë”, ka shkruar ai.

Në televizionin publik, RTCG, Abazoviq gjatë intervistës ka deklaruar se “Qeveria aktuale ka përfunduar misionin e saj dhe në periudhën e ardhshme do të duhet të zgjedhë mes dy koncepteve – qeveri të pakicës apo teknike, ose të shkurtojë mandatin e Kuvendit dhe të shkojë në zgjedhje parlamentare”.

Nga ana tjetër, Kuvendi i Malit të Zi ka përcaktuar tre seanca parlamentare për muajin shkurt që përfshijnë shkarkimin e Abazoviqit, shkurtimin e mandatit të Parlamentit dhe votëbesimin e Qeverisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore