Shqipëria

A mund të “dalin” Rakipi dhe Ndroqi nga listat e zeza të SHBA-ve?


Shpallja “non grata” nga qeveria amerikane dhe sanksionimi nga OFAC-u janë vendime ekzekutive të presidentit të Shteteve të Bashkuara.

Por, nëse non grata nuk jep aspak mundësi për rishqyrtim, në rastin e dytë bëhet fjalë për një caktim që ekziston “prapakthehu”.

Thënë kjo, sanksionet ndaj ish-deputetit Aqif Rakipi dhe biznesmenit Ylli Ndroqi mund të “hiqen”.

Vetë Zyra e Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kontrollin e Pasurive të Huaja ose ndryshe OFAC e sqaron këtë.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Yuri Kim, e sqaronte “peshën” e shpalljes non grata, pas caktimit të ish-kryeministrit Sali Berisha.

Diplomatja risillte në vëmendje se shpallja si persona non grata  për korrupsion është “vendim i padiskutueshëm”.

Kim publikoi madje memorandumin kundër korrupsionit dhe theksoi se në seksionin 7331 (c) (1) (A) shpalosen edhe arsyet e përcaktimit të dikujt si i padëshiruar drejt Amerikës.

“Pavarësisht pretendimeve, faktet janë të pakthyeshme dhe të pamohueshme”, shkruante diplomatja amerikane.

OFAC

OFAC ka postuar në faqen e saj të internetit një dokument burimor.

Kjo e fundit shpjegon se si mund të bëhet kërkesa për heqjen nga listat e sanksioneve.

Madje, departamenti vëren se çdo vendim “bazohet në një rishikim të plotë”.

“Ruajtja e integritetit të sanksioneve të SHBA-ve ‘është parimi drejtues’ pas procesit të tij për përcaktimin e heqjes”, shkruhet në dokumentin e OFAC-ut.

Avokatët mbrojtës e kanë përshkruar më parë procesin e heqjes së sanksioneve si “të përsëritur, të errët dhe të paparashikueshëm”.

Një zëdhënës i Thesarit do të tregonte për “Wall Street Journal” se listat e sanksioneve janë “një mjet i rëndësishëm strategjik”.

Sipas tij, listat çojnë përpara sigurinë kombëtare dhe qëllimet e politikës së jashtme.

Hapat

Për t’u hequr nga çdo listë sanksionesh, thjesht i shkruan OFAC-ut me email ose me postë postare duke e kërkuar atë, cilësohet në dokument.

Por ky hap vetëm fillon procesin.

Kjo, pasi dokumenti shpjegon shkurtimisht se si funksionon rishikimi.

Në të përfshihen “breshëria” e pyetësorëve midis OFAC-ut dhe kërkuesit, shqyrtimi i informacionit nga departamenti dhe një hetim pasues të vendimit mbi sanksionet.

Më pas, rezultatet dhe përfundimi i atij hetimi paraqiten në një memorandum.

Memorandumi në vijim bëhet subjekt i shqyrtimit nga disa agjenci të tjera qeveritare.

Kjo, përpara se të merret një vendim përfundimtar, sqarohet në dokumentin e OFAC-ut.

“Megjithëse secili rast është unik, OFAC zbaton të njëjtat standarde për shqyrtimet e peticioneve në të gjitha programet e sanksioneve”, thekson departamenti.

Sipas OFAC-ut, qëllimi përfundimtar i sanksioneve nuk është ndëshkimi, “por sjellja e një ndryshimi pozitiv në sjellje”.

Non (non grata)

Sanksionet e OFAC-ut ndaj Rakipit dhe Ndroqit u komentuan si “non grata” e të dhëna nga Departamenti i Shtetit.

Por, në fakt bëhet fjalë për sanksionet e dhëna me vendim të Departamentit të Thesarit, apo urdhrit ekzekutiv 14033.

Ndëshkimi me urdhrin 14033 është përdorur gjerësisht nga qeveria amerikane.

Ai është përdorur kryesisht për të sanksionuar shumë oligarkë dhe politikanë rusë ndër vite.

14033 nuk është aspak një ndëshkim i dobët, madje ka reperkursione të forta.

Ndërsa, ligji i famshëm 7031(C) apo i njohur si shpallja persona non grata, është një shkallë më lart.

Biznesmeni Ndroqi ka reaguar i pari duke theksuar se do të kërkojë heqjen e emrit nga lista e zezë.

Kjo, pasi vendimi i Departamentit të Thesarit “është marrë mbi bazën e informacioneve të gabuara”.

“Duke besuar fort në drejtësinë e vendimmarrjes së institucioneve të SHBA-ve, do të përdor të drejtën time për të kërkuar heqjen e emrit nga lista duke vënë në dispozicion të autoriteteve çdo informacion që ato të kenë nevojë”, u shpreh ai.

Arsyet e vendimit

Sipas vendimit, Aqif Rakipi është një ish-deputet famëkeq nga Elbasani, Shqipëri, i cili ka ndikim të dëmshëm dhe destabilizues në proceset politike në Shqipëri.

Për të, grupe të shumta të krimit të organizuar (GKO) në Shqipëri kanë ofruar para, dhurata ose premtime për vende pune apo lëshime në këmbim të votave për partinë e tyre të preferuar politike.

Rakipi ka qenë prej kohësh i përfshirë në krimin e organizuar dhe është i lidhur ngushtë me një Grup Krimi të Organizuar, brenda të cilit ai ka ushtruar ndikim politik, përfshirë edhe përmes korrupsionit.

Në të listohet se ai ka përdorur ndikimin e tij politik për të emëruar miqtë e tij në pozicione kyçe publike në Elbasan dhe Tiranë.

Po ashtu, Ylli Ndroqi është një pronar mediash, pasuritë e të cilit u sekuestruan nga qeveria shqiptare në vitet 2020 dhe 2021 për veprimtari të mëparshme kriminale.

Departamenti amerikan shkruan se Ndroqi ka shfrytëzuar mediat që më parë kanë qenë nën kontrollin e tij.

Kjo, për të zhvatur dhe shantazhuar qytetarë shqiptarë nëpërmjet kërkesave për para dhe blerjeve të reklamave në këmbim të mospublikimit të artikujve negativë në media.

Gjithashtu, ai ka ndërmjetësuar ryshfete për llogari të një subjekti që kërkonte të bënte biznes në Shqipëri.

Kështu, ky vendim i bën ata dhe pjestarët e familjes së tyre të ngushtë të pakualifikuar për të hyrë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore