Lajme

A kanë filluar sanksionet? Anulohet konferenca e donatorëve nga BE


Konferenca e donatorëve për Kosovën dhe Serbinë që ishte planifikuar në marrëveshjen që ishte dakorduar fillimisht në Bruksel me 27 shkurt, dhe e pasuar me planin e zbatimit në Ohër të Maqedonisë së Veriut me 18 mars, për momentin nuk do të mbahet.

Kështu të paktën raporton “Radio Evropa e Lirë” nga burimet e saja në Bruksel.

Vendet anëtare të Bashkimit Evropian pajtohen që për momentin nuk ka vend që të diskutohet për organizimin e konferencës së donatorëve për Kosovën dhe Serbinë, thotë burimi i REL-it.

Në tekstin e marrëveshjes së dakorduar në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, parashihej që të organizohej një konferencë donatorësh, e kjo 150 ditë pas dakordimit për marrëveshje, e cila kishte për qëllim krijimin e një pakoje financiare për të dy vendet respektive.

Marrë parasysh veprimet e palëve – moszbatimi i asnjërës nga pikat e marrëveshjes deri më tani – nga BE-ja nuk kanë disponim për mbajtjen e kësaj konference.

Përfaqësuesit e disa shteteve anëtare të Unionit, kanë theksuar se përgjegjësia për largimin nga agjenda e planeve për konferencën e donatorëve është e të dyja shteteve, pasi që asnjëra nga to nuk e ka bërë ende asnjë hap në zbatimin e marrëveshjes së Brukselit\Ohrit.

Për mundësinë e sanksioneve ndaj Kosovës – për shkak të situatës së krijuar në Veri të Kosovës – para disa ditësh kishte raportuar edhe Albanian Post.

Albanian Post ka mësuar nga burime diplomatike se sanksionet – si në rrafshin personal për Kurtin dhe një ministër të tij, si në atë shtetëror për Kosovën – do jenë të ashpra dhe të pa-shembullta në historinë e Kosovës.

“Në rast që situata në terren agravohet dhe vjen deri te rrezikimi serioz i sigurisë së përgjithshme, përfshirë edhe rrezikimin e trupave të KFOR-it, kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla mund të shpallen si non-grata me justifikimin që paraqesin rrezik për sigurinë dhe paqen”, i kanë thënë burimet ndërkombëtare AP-së, të afërta me zhvillimet dhe procesin negociues.

Kjo megjithatë është një fazë e fundit, e cila aktualisht është vetëm hipotetike dhe komuniteti ndërkombëtar shpreson të mos e ketë nevojën për një zhvillim të kësaj natyre drastike.

Ekskluzive: Sanksione në dy faza, non-grata, bllokim fondesh e përjashtim nga organizata dhe kthim i Veriut nën protektorat të KFOR’it – të gjitha këto nëse Kurti thotë jo

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore