Lajme

“A është Kosova aleat i NATO-s?” – Plenkoviç dhe Milanoviç futen në polemika


Zoran Milanoviç dhe Andrej Plenkoviç

Pjesëmarrja e Forcave të Armatosura të Kroacisë në misionin e Bashkimit Evropian – EUMAM Ukraine – ka futur në sherr kryeministrin kroat Andrej Plenkoviç dhe presidentin Zoran Milanoviç.

Milanoviç refuzoi të merrte në konsideratë letrën në të cilën kërkohej pëlqimi i tij për pjesëmarrjen e ushtarëve kroatë në mision dhe trajnimin e ushtarëve ukrainas në territorin e Kroacisë.

Ai deklaroi se vendimi nuk ishte në përputhje me Kushtetutën dhe se nuk shpjegohej se me cilën dispozitë Ukraina konsiderohej vend aleat, gjë që do ta detyronte Kroacinë t’i ofrojë ndihmë ushtarake.

Nga ana tjetër, Plenkoviç argumentimin e tij kundër pretendimeve të presidentit kroat e ndërtoi në bazë të faktit se ushtarët kroatë janë pjesë e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë në kuadër të trupave të KFOR-it.

“As Kosova e as Afganistani nuk janë aleatë të Kroacisë në NATO, por ushtria kroate përfshihet në misione në këto vende”, deklaroi Plenkoviç para gazetarëve, transmeton Radio Televizioni i Kroacisë.

“Kjo nuk është shkelje e kushtetutës, është lojë e fshehtë e atyre që nuk kanë guxim të thonë se çfarë përfaqësojnë rreth temës numër një të sigurisë në botë”, theksoi ai, duke shtuar se misioni ishte një vendim i përbashkët i BE-së.

Forcat e Armatosura të Kroacisë

“Ky mision nuk është një stërvitje një ose dy javore në të cilën do të vijnë disa ushtarë të huaj ose ushtarët tanë do të shkojnë në një vend tjetër”, shtoi ai.

Ndryshe, duke u nisur nga dispozitat kushtetuese, Milanoviç vlerësoi se nuk janë plotësuar kushtet për të marrë në konsideratë shkresën me qëllim për dhënien ose mosdhënien e pëlqimit paraprak.

“Letra e dorëzuar tek ne nuk tregon bazën ligjore mbi të cilën u vërtetua se Ukraina është një vend aleat në kuptimin e kësaj dispozite të Kushtetutës (Ukraina nuk është anëtare e asnjë aleance në të cilën është anëtare Kroacia”, thuhet mes tejrash.

Milanoviç kishte deklaruar edhe më parë se nuk do ta mbështesë Misionin EUMAM Ukraine, sepse siç vlerësonte ai, “do të nënkuptonte përfshirjen e Kroacisë në luftë”.

“Unë nuk e mbështes atë ide sepse nuk e mbështes përfshirjen e Kroacisë në këtë luftë më shumë se sa duhet. Kjo po e sjell luftën në Kroaci”, kishte alarmuar presidenti kroat.

Madje, ishte vetë Milanoviç ai që përcolli kontigjentin e 37-të të trupave kroate që zbarkuan në Kosovë gjatë muajit maj të këtij vit.

Ai deklaronte se Kroacia nuk e bëri këtë “për të dëmtuar Serbinë”, por për ta “shpërblyer Kosovën për atë që ka kaluar”.

Aktualisht rreth 3 mijë e 700 trupa shërbejnë në Kosovë në kuadër të misionit të KFOR-it, i cili ende funksionon nën mandatin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Ndryshe, Këshilli i BE-së, të hënën e 17 tetorit miratoi një vendim për krijimin e Misionit të Ndihmës Ushtarake të Bashkimit Evropian në Ukrainë (EUMAM Ukraine).

Në përgjigje të kërkesës së Ukrainës për mbështetje ushtarake, misioni do të sigurojë trajnime individuale, kolektive dhe të specializuara të Forcave të Armatosura.

Misioni EUMAM Ukraine do të operojë në territorin e shteteve anëtare të BE-së dhe do të ketë një Shtabi Operacional në Bruksel për të siguruar koordinimin e përgjithshëm në nivel strategjik.

Komandanti i misionit do të jetë zëvendës-admirali Hervé Blejean, drejtor i Forcës së Planifikimit dhe Operacionit Ushtarak (MPCC).

Mandati i misionit fillimisht do të zgjasë dy vjet, dhe referenca financiare për shpenzimet totale për këtë periudhë do të jetë 106 milionë e 700 mijë euro.

Këshilli i BE-së miratoi gjithashtu dhënien e 500 milionë eurove të tjera në kuadër të Fondit Evropian të Paqes për të mbështetur më tej aftësitë dhe stabilitetin e Forcave të Armatosura të Ukrainës.

Kësti i gjashtë do të sjellë kontributin total të BE-së në fondin për Ukrainën në 3.1 miliardë euro.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore