Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në Mal të Zi të harmonizohen me politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në rajon, në dritën e përpjekjeve për të shtyrë përpara procesin e formimit të qeverisë së re malazeze pas ngërçit institucional atje.
Haradinaj, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në “Facebook” të dielën, ka thënë se sa i përket zhvillimeve politike në rajon dhe më gjerë, shqiptarët gjithmonë kanë qenë në linjë me politikën e jashtme të SHBA-ve, prandaj në këtë drejtim, ka konsideruar që formimi i qeverisë së re të Malit të Zi, duhet të mishërojë vlerat pro-perëndimore.
“Në këtë kontekst konsiderojmë që formimi i qeverisë së re të Malit të Zi, përpos që reflekton vullnetin qytetar dhe pluralizmin politik, duhet pashkëputshëm të mishërojë vlerat pro perëndimore, që lidhen me NATO-n, integrimin evropian, fqinjësinë e mirë dhe refuzimin e ndikimeve dhe ndërhyrjeve të jashtme destruktive nga ana e Serbisë dhe partnerit të saj, Rusisë”, ka shkruar ai.
Milojko Spajiç, fitues i zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit me Lëvizjen Evropa Tani (PES) dhe rrugës për të marrë drejtimin e qeverisë së 44-të të Malit të Zi, ka arritur marrëveshje me dy prej koalicioneve shqiptare – Forumi Shqiptar dhe Aleanca Shqiptare – por edhe me koalicionin “Për të Ardhmen e Malit të Zi (ZBCG)”, i cili përbëhet nga ish-përfaqësuesit e Frontit Demokratik (DF) pro-serb dhe pro-rus.
Negociatat për përbërjen e ekzekutivit malazez janë dominuar nga pyetja nëse Spajiçi do të formojë kabinetin e tij qeveritar me Demokracinë e Re Serbe (NSD) dhe Partinë Popullore Demokratike (DNP), të cilët angazhohen për heqjen e sanksioneve ndaj Rusisë, anulimin e njohjes së pavarësisë së Kosovës dhe tërheqjen nga NATO-ja.
SHBA-ja, së bashku me partnerët e Bashkimit Evropian (BE) presin që ekzekutivi i ri malazez në krye me Spajiçin të shpallë të mbyllur çështjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës, forcimin e partneritetit mes Malit të Zi dhe bllokut ushtarak të NATO-s dhe sanksionet e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Rusisë për agresionin në Ukrainë.
Prandaj, kreu i AAK-së ka ftuar faktorin politik shqiptar që në këto procese, tani dhe në të ardhmen, pjesëmarrjen dhe reflektimin e vullnetit të qytetarëve shqiptarë në të gjitha institucionet e Malit të Zi, ta shohin para së gjithash në dritë të domosdoshmërisë së orientimit pro-amerikan dhe pro-evropian, ngase sipas tij, çdo qasje tjetër është e dëmshme.
“Çfardo qasje tjetër nga cilido akter në Mal të Zi do të ishte i dëmshëm për rajonin në aspektin afatshkurtër, por edhe për vet Malin e Zi në një perspektivë afatgjate”, ka shkruar ish-kryeministri i Kosovës të dielën.
Në Parlamentin e Malit të Zi kanë fituar ulëse plot 6 shqiptarë: Dritan Abazoviç nga Lëvizja Qytetare URA, Nik Gjeloshaj dhe Nikollë Camaj nga Forumi Shqiptar, Genci Nimanbegu nga Aleanca Shqiptare dhe Drita Llolla e Mehmed Zenka nga Unioni Demokratik i Shqiptarëve (UDSH) që garuan së bashku me Partinë Demokratike të Socialistëve (DPS).
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Rama: Po bëjmë negociata me Filipinet për të marrë krahë pune
-
“Asnjëherë s’më ka lënë në baltë – është i pa korruptuar”, Gërvalla me fjalë të mëdha për Kurtin
-
Kandidatja e partisë së Macron thotë se është mashtruar duke bërë një foto grupi ‘neo-naziste’
-
Haradinaj: E mbështes shpërbërjen e Kuvendit vetëm pas dorëheqjes apo shkarkimit të Kurtit
Lajmet kryesore
-
Kurti: Zgjedhjet më mirë në verë se në dimër, s’ka rëndësi a qeverisë edhe 10 muaj, apo edhe 3 muaj
-
Nisma e PS, Delegacioni i BE-së: Të mos preket reforma në Drejtësi
-
Izraeli thellon ofensivën në Rafah dhe rihyn në zonat veriore të Gazës
-
Krasniqi: Dallime me Kurtin kemi, por diskutimin e patëm të mirë