Të hënën e 31 korrikut autoritetet shqiptare bënë të mundur arrestimin e ish-oficerit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Dritan Goxhaj.
Kjo e fundit, u realizua pas kërkesës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës.
Deri më tani, institucionet e drejtësisë kanë sqaruar se ndalimi është bërë pasi Goxhaj akuzohet për kryerjen e veprave penale: “Frikësimi gjatë procedurës penale” dhe “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”.
Prokuroria e Tiranës zbuloi se Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë caktoi masën e sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në burg” ndaj Goxhajt.
Ai pritet të ekstradohet drejt Republikës së Kosovës, pas realizimit të procedurave nga autoritetet shqiptare.
Gjykatësi i Vetëm kishte lëshuar fletë-arrestin dhe urdhëroi transferimin e tij në paraburgimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Mbretërinë e Vendeve të Ulëta (‘shteti pritës’).
Gjithashtu, gjykatësi i vetëm autorizoi kontrollimin e vendit të arrestimit dhe të vendit të banimit te tij, si edhe sekuestrimin e materialeve gjate kontrollimit të tyre.
Gjykata Speciale e Kosovës kishte lëshuar urdhër-arrest për Goxhajn, i cili ka qenë shoqërues i trupave amerikane gjatë vitit 1999.
Policia ushtroi kontroll, me kërkesë të Gjykatës Speciale, e cila më herët ka dërguar në pranga zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë të Prishtinës.
Goxhaj iu bashkua UÇK-së si oficer i Ushtrisë Shqiptare në shkollën e aviacionit dhe ka pasur autorizimin e Shtabit të Përgjithshëm që të mbante kontakte me komandën e forcave amerikane në Shqipëri.
Angela Griep, shefe e Informimit dhe Komunikimit Publik në Dhomat e Specializuara të Kosovës, konfirmoi për Albanian Post se ish-oficeri i UÇK-së u arrestua pasi dyshohet se ka kryer veprën penale kundër administrimit të drejtësisë që përfshijnë frikësim dhe pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare.
“Mbi bazën e fletarrestimit të lëshuar nga një gjykatës i DHSK-së në lidhje me vepra penale kundër administrimit të drejtësisë që përfshijnë frikësim dhe pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare”, thuhet në përgjigje.
Po ashtu Griep bëri të ditur se më vonë “do të jepet më shumë informacion” lidhur me prangosjen e Goxhajt në Tiranë.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.comLajmet kryesore
-
Policia konfiskon armë në Veri, i dyshuar është një ish-zyrtar policor
-
Wisner nga Kukësi: Presim përparim për hidrocentralin e Skavicës
-
Von der Leyen injoron të djathtën në Itali, takohet me Tajanin ndërsa eviton Melonin
-
Pas kërkesës së Bardhit, SPAK cakton 24 majin për dëshminë e tij lidhur me dosjen ‘Xibraka’