Lajme

“U rikonfirmua se Kosova s’ka mike më të madhe sesa SHBA-në”, Osmani e Kurti pas takimit me Blinken


“Jemi duke punuar së bashku për të përcaktuar disa çështje që janë të rëndësishme për SHBA-në dhe shtetin tuaj”, tha Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrin, Albin Kurti.

Në takimin e 26 korrikut të mbajtur në Uashingon, Blinken falënderoi delegacionin e Kosovës për pritjen e afganëve dhe mbështetjen e Kosovës për Ukrainën.

Ai po ashtu tha se kanë diskutuar edhe për “çështjet kritike të sigurisë rajonale”, por nuk dha më shumë detaje.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se “partneriteti me SHBA-në nuk është vetëm i domosdoshëm, por ka qenë ekzistencial për të arritur lirinë tonë dhe vazhdon të jetë ekzistencial edhe sot e kësaj dite”.

Osmani tha se populli i Kosovës qëndron me Ukrainën dhe përmendi sanksionet që Kosova i ka vendosur Rusisë, siç tha ajo “në ditën e njëjtë që i ka miratuar dhe Amerika”.

Ajo tha se ka pasur edhe tendenca për destabilizimin e Ballkanit nga Rusia.

Në një deklarim për media, pas takimit me Blinkenin, Osmani tha që takimi ishte i “shkëlqyeshëm” dhe edhe një herë u konfirmua që “Kosova nuk ka mik më të madh e më të mirë sesa SHBA-të”.

Osmani tha se kanë biseduar edhe për fuqizimin e subjektivitetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, nevojën e Kosovës që të jetë anëtare e NATO-s, si dhe për “rolin konstruktiv të Kosovës në dialogun me Serbinë”.

“Diskutuam tema që kanë të bëjnë me suksesin e Kosovës dhe të ardhmen e saj në arenën ndërkombëtare. Paraqitëm para sekretarit Blinken reformat të cilat janë duke u ndërmarrë në Kosovë dhe sfidat me të cilat ballafaqohemi, për të cilat kemi nevojë për përkrahjen e SHBA-së”, ka thënë Osmani pas takimit.

Në këtë takim ajo tha se kanë biseduar në detaje për disa nga marrëveshjet e arritura në kuadër të këtij procesi, siç është ajo e energjisë dhe shtoi se administrata e SHBA-së ka qenë e qartë që procesi i dialogut të përqendrohet në njohje reciproke, “gjë që është konfirmuar edhe sot gjatë këtij takimi”.

Një çështje tjetër e ngritur në takim sipas saj ishte edhe roli që ka Rusia në destabilizimin Ballkanit Perëndimor nëpërmjet “satelitit të saj të Serbisë”.

“Sekretari Blinken, njësoj sikurse presidenti Biden, e njohin shumë mirë këtë histori të intencave ruse në rajonin tonë dhe në asnjë moment nuk e largojnë vëmendjen e tyre, gjë që na konfirmuan edhe sot, në mënyrë që bashkërisht të punojmë që t’i ndalim këto tendenca për destabilizim në rajonin tonë”, tha Osmani.

Ndërsa kryeministri Kurti tha se takimi me Sekretarin e amerikan të Shtetit ishte “shumë i përzemërt”.

Ai tha se nga Blinken kanë kërkuar shtimin e investimeve amerikane në Kosovë si dhe rritjen e shkëmbimit tregtarë midis dy vendeve.

“Ne treguam se si Kosova është rrëfim suksesi në mënyrë të dyfishtë. Së pari i punës dhe qëndrueshmërisë së popullit, dhe ndërhyrjes së NATO-s për ta ndalë gjenocidin e Serbisë, dhe së dyti rrëfim suksesi i një demokracie cilësore e cila shkon bashkë me zhvillimin ekonomik. Në kontrast me disa fuqi të tjera nëpër botë që duan të tregojnë për zhvillim ekonomik, demokracia s’është e nevojshme. Shteti jo i madh i Kosovës është shembull se zhvillimi ekonomik dhe demokracia cilësore shkojnë bashkë”, u shpreh Kurti.

Po ashtu, pas takmit gjatë një prononcimi për media, Osmani e Kurti kanë thënë se SHBA-ja është partner i sigurisë dhe se pa përkrahjen e saj nuk mund të kemi sukses në organizatat ndërkombëtare që janë synimi i përhershëm i Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore