Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneral Major Bajram Begaj u zgjodh si kandidat nga kryesia e Partisë Socialiste për kreun e shtetit në Shqipëri.
Begaj u lind më datë 20 mars të vitit 1967, në Rrogozhinë. Ai do të përfundonte studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Degën Mjekësi e Përgjithshme në vitin 1989 dhe është titulluar oficer aktiv në specialitetin “Mjekësi” në vitin 1998.
Gjeneral Major Begaj ka përfunduar “Doktoraturën në Fushën e Mjekësisë”, në Shqipëri, si dhe mban titullin “Profesor i Asociuar” në Mjekësi.
Gjatë karrierës 31-vjeçare ushtarake ka kryer Kursin e Lartë për Sigurinë dhe Mbrojtjen; Shkollën e thelluar pasuniversitare të mjekësisë, Specializimin Pasuniversitar në profilin Gastrohepatologji, Kursin e menaxhimit spitalor dhe Kursin e lidershipit mjekësor strategjik, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe Kursin epecializimit në fushën e mjekësisë dhe Kursin e Shëndetësisë, në Greqi.
Sakaq, Gjeneral Major Begaj ka drejtuar stërvitjen ushtarake “Defender Europe 2021” dhe është një nga emrat, i cili gëzon konsideratë të lartë nga SHBA-të.
Ndërkohë që, në Forcat e Armatosura ka mbajtur një sërë detyrash, mes të cilave Komandant i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, Shef i Njësisë Mjekësore Ushtarake dhe Zëvendësdrejtor Ushtarak i SUT, Drejtor i Spitalit Ushtarak, Drejtor i Inspektoriatit Shëndetësor dhe Kryeinspektor dhe Këshilltar i Inspektoriatit Shëndetësor në Shtabin e Përgjithshëm Ushtarak Qendror Universitar.
Ai është i martuar dhe ka dy fëmijë.
Si u arrit te ky emër?
Pas mbledhjes së PS-së, e cila zgjati për dy orë dhe u zhvillua pa praninë e telefonave, kryeministri i Shqipërisë, njëkohësisht edhet kryetar i selisë rozë, Edi Rama, bëri publik emrin e kandidatit zyrtar të mazhorancës për President të Republikës së Shqipërisë.
Për kryeministrin, Begaj është “shëmbëlltyra e atij normaliteti, e asaj qytetarie, e sensit të shërbimit ndaj vendit dhe njerëzve të këtij vendi, për të cilin ajo zyrë ka një nevojë urgjente”.
Begaj do të jetë i treti president në Republikën e Shqipërisë që vjen nga bota ushtarake.
Rama sqaroi se, në fillim, janë përjashtuar emrat e ardhur nga grupi parlamentar dhe ato të ardhur nga jeta politike.
“Ne duhet t’u japin shqiptarëve një president që nuk ka karrierë në PS”, tha Rama.
Të shtunën e 4 qershorit ky emër pritet të depozitohet në Kryesinë e Kuvendit – pasi të jetë firmosur nga të paktën 20 deputetë – ku disa orë më vonë do të mbahet edhe votimi.
Në mbledhje u diskutua mbi një listë prej 26 kandidaturash të propozuara nga ligjvënësit socialistë.
Detyrën e kreut të shtetit e mban Ilir Meta.
Këtij të fundit i mbaron mandati më 24 korrik, 2022.
Tanimë fjalën e ka votimi në Kuvendin e Shqipërisë, të shtunën ora 18:00, në një seancë të posaçme plenare.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.comLajmet kryesore
-
Shqipëria e dyta në botë për azilantët nën 18 vjeç në raport me popullatën, tregon Eurostat
-
Lobimi serb në OKB kundër rezolutës për Gjenocidin e Srebrenicës, si po e ndihmojnë rusët dhe kinezët?
-
Pa një plan diplomatik për Gazën e pasluftës, Jordania ka frikë se do të detyrohet të njohë Hamasin
-
Raportet ndërkombëtare që shkërmoqën propagandën qeveritare