“Ne jemi për të gjitha mënyrat e mundshme me përjashtimin e vetëm të formulës së propozuar nga Alibeaj – 4-2-1 – që nuk është negociatë”.
Kështu u shpreh kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, në një dalje për mediat duke mohuar propozimin e kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Shqipërisë.
Balla theksoi sërish se mazhoranca nuk do të propozojë emra as në raundin e tretë të votimeve duke i lënë hapësirë opozitës që të japë emrin e një kandidati.
“Ajo që është gjejë më e qartë është që nuk do ketë një kandidaturë të propozuar me 20 firma apo më shumë nga PS-ja”, u shpreh Balla.
Ndër të tjera ai tha se ditët në vijim do jenë ditë intensive bisedash me kolegët e opozitës që në raundin e tretë të shkohet me një kandidat.
Kujtojmë se dy raundet e para të votimit janë ezauruar. Kushtetuta parashikon pesë raunde për zgjedhjen e Presidentit.
Nga ana tjetër Konferenca e Kryetarëve ka caktuar datën 30 maj, ora 10:00, për raundin e tretë të zgjedhjes së Presidentit të ri.
Ndërsa, afati i fundit i dorëzimit të propozimeve për kandidatë do të jetë data 29 maj, ora 18:00.
Çfarë parashikohet në Kushtetutë?
Procesi për zgjedhjen e Presidentit kalon në pesë raunde. Në tri raundet e para, ai duhet të zgjidhet me tri të pestat e votave – pra 84 vota.
Kushtetuta parashikon se, nëse në fund të tri raundeve nuk kemi një president, atëherë Kreu i Shtetit zgjidhet me 71 vota.
Sipas saj, socialistët mund ta zgjedhin vetë presidentin në raundin e tretë.
Shumica e kërkuar është e thjeshtë, 71 vota pro dhe ata i kanë me formatimin e parlamentit.
Presidenca e shtatë në Shqipëri do të përmbyllet më 24 korrik të vitit 2022.
Në krye të shtetit, që prej 2017-ës, është Ilir Meta.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com