Shqipëria

Presidenti i ri: Raundi i tretë më 30 maj


Konferenca e Kryetarëve ka caktuar datën 30 maj, ora 10:00, për raundin e tretë të zgjedhjes së presidentit të ri.

Ndërsa, afati i fundit i dorëzimit të propozimeve për kandidatë do të jetë data 29 maj, ora 18:00.

Ishte pikërisht kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste (PS), Taulant Balla, i cili e propozoi këtë datë.

Përfaqësuesit e opozitës kërkuan diskutim paraprakisht për aspekte të tjera pa shkuar te përcaktimi i datës.

Çfarë ndodhi?

Seanca e parashikuar për votimin e Presidentit të ri të Shqipërisë i gjeti sërish palët nga opozita dhe mazhoranca pa një konsensus.

Nga Komisioni i Ligjeve u njoftua se nuk ishte paraqitur asnjë kandidaturë.

Afati i fundit i dorëzimit të emrave për raundin e dytë ishte 22 maji, deri në orën 16:00.

Mazhoranca ka paralajmëruar se propozimet e tyre do të vijnë vetëm në raundin e katërt dhe të pestë, duke i lënë kështu tre raundet opozitës.

Kjo e fundit dy raundet e para “i dogji”, ndërsa pritet çfarë do të ndodhë në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve dhe si do të jetë konsensusi i radhës opozitë-mazhorancë.

Pavarësisht se javën e kaluar pas takimeve mes përfaqësuesve të opozitës dhe mazhorancës u duk si një “dritë jeshile” për propozimin e kandidatëve, çdo gjë u hodh poshtë të premten.

Kreu i Grupit Parlametar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, njoftoi të premten se mazhoranca nuk ishte dakord me kushtet e vendosura, prandaj ata nuk do të paraqesin asnjë kandidaturë të dielën.

Sakaq ishte parashikuar që katër do të ishin kandidatët e propozuar nga opozita. Përkatësisht dy nga grupi i Enkelejd Alibeaj dhe dy të tjerë nga Grupi Parlamentar i Aleancës për Ndryshim i Fatmir Mediut dhe Grupi për Demokraci dhe Integrim i Mesila Dodës.

Ndërkohë prej këtyre emrave dy do të zgjidhen nga socialistët. Pas kësaj do të krijohej një grup i përbashkët prej gjashtë anëtarësh, në përbërje të së cilit do të ishte nga PD-ja dhe PS-ja.

Nga ky grup do të dalë një kandidat – i propozuar me firma të përbashkëta PD-PS – që do të dërgohet për miratim në Kuvendin e Shqipërisë.

Kujtojmë se raundi i parë i votimeve u përmbyll pa asnjë kandidat. Po ashtu, edhe i dyti.

Nga ana tjetër, Kushtetua parashikon se procedurat për zgjedhjen e Presidentit duhet të fillojnë jo më vonë se data 23 maj.

Sakaq, edhe në raundin e tretë parashikohet e njëjta procedurë.

Çfarë parashikohet në Kushtetutë?

Procesi për zgjedhjen e Presidentit kalon në pesë raunde. Në tri raundet e para, ai duhet të zgjidhet me tri të pestat e votave – pra 84 vota.

Kushtetuta parashikon se, nëse në fund të tri raundeve nuk kemi një president, atëherë Kreu i Shtetit zgjidhet me 71 vota.

Sipas saj, socialistët mund ta zgjedhin vetë presidentin në raundin e tretë.

Shumica e kërkuar është e thjeshtë, 71 vota pro dhe ata i kanë me formatimin e parlamentit.

Presidenca e shtatë në Shqipëri do të përmbyllet më 24 korrik të vitit 2022.

Në krye të shtetit, që prej 2017-ës, është Ilir Meta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore