Lajme

Kosova zyrtarisht aplikon në Këshillin e Evropës


Ilustrim

Kosova zyrtarisht ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Këtë e ka bërë të ditur, shefi i kabinetit të ministres së Punëve të Jashtme të Kosovës, Sharr Jakupi, përmes një postimi në rrjetin e tij social Twitter, ku ndër të tjera ka njoftuar se Gërvalla personalisht ka dorëzuar aplikimin në këtë organizatë, pas takimit që ajo ka realizuar me zyrtarët e Këshillit të Evropës.

“Ministrja dhe zëvendëskryeministrja Gërvalla, sapo ka përfunduar takimin e saj në Këshill të Evropës ku ajo e ka dorëzuar personalisht aplikimin. Konfirmoj se zyrtarisht Kosova ka aplikuar për anëtarësim të plotë në Këshill të Evropës”, ka shkruar Jakupi.

Se Kosova, zyrtarisht ka dorëzuar aplikimin në Këshillin e Evropës e ka njoftuar edhe ministrja e punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla përmes një video-mesazhi, ku ndër të tjera ka theksuar se Kosova e meriton të jetë anëtare e kësaj organizate ndërkombëtare.

“Sot fillon procedura e shqyrtimit të kërkesës sonë, e cila do të kalojë në instancat të ndryshme të Këshillit të Evropës dhe Asamblesë Parlamentare dhe për fund edhe të Këshillit Ministror. Kosova është vendi më demokratik në rajon, Kosova është vendi më pro- evropian në rajon dhe është vendi më optimist në rajon. Prandaj, Kosova e meriton të jetë anëtare e Këshillit të Evropës”, ka thënë Gërvalla.

“Kjo procedurë që e kemi nisur sot do të përfundojë me anëtarësim të plotë të Kosovës në Këshill të Evropës”, ka shtuar ajo.

Ndryshe këtë të enjte përmes një mbledhje elektronike Qeveria e Kosovës ka miratuar në parim Nismën për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në organizatën ndërkombëtare “Këshilli i Evropës – Council of Europe”.

Vendimi i miratuar sot obligon Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës që të zhvillojë të gjitha procedurat për anëtarësim në bazë të legjislacionit në fuqi.

Më herët gjatë ditës për anëtarësimin në KE ka folur edhe lideri i vetëm institucional që aktualisht gjendet në Kosovë, Glauk Konjufca.

“Kemi edhe një delegacion që është atje i cili është i përhershëm i Kosovës në kuadër të parlamentit i cili merr pjesë vazhdimisht në asamblenë e KE”, ka thënë Konjufca, kur është pyetur se a i ka siguruar Kosova votat.

“Është bërë punë e madhe që së paku një vit, por puna ka qenë edhe e mëhershme”.

Ndërsa, theksoi se për të arritur anëtarësimin duhet të ketë bashkëpunim edhe me partitë opozitare.

“Edhe vetë kur kam qenë në opozitë kam qenë pjesë e delegacionit të Kosovës në Evropë. Kemi punuar të gjithë së bashku pavarësisht partive politike. Ky është sukses i Kosovës jo i ndonjë partie në mënyrë të veçantë”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore