Lajme

Gashi mohon akuzat për sharje e ofendime ndaj Kërçelit


Shefi i Grupit Parlamentar i LDK-së, Arben Gashi.

Në Kuvendin e Kosovës, të hënën janë përplasur shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi dhe Ilir Kërçeli, i cili është shef i kabinetit të kryeparlamentarit, Glauk Konjufca.

Mirëpo, shefi i grupit të deputetëve të LDK-së, Arben Gashi, ka mohuar se ka sharë e ofenduar deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje dhe këshilltarin e Glauk Konjufcës.

“Mbledhja dështoi se kryetari i kuvendit ka bërë shkelje. Shefi i kabinetit ka thënë të pavërteta. Pra ne si deputet jemi përgjegjës por nuk mundet që përfaqësuesi të shtrembëroj fakte”.

Ndërsa, bëri të ditur se 10 vite sa është deputet nuk ka marrë asnjë kompensim për këtë çështje.

“Unë kam pasur distancë dhe nuk është e vërtetë. Qe 4 mandate nuk marr shpenzime. Shefi i kabinetit nuk do të duhej të ishte në mbledhje të kryesisë”, tha Gashi para gazetarëve.

Edhe deputeti i LVV-së, Adnan Rrustemi i cili kishte shkuar në këtë mbledhje si përfaqësues i LVV-së, tha se shefi i GP-së të LDK-së pati sjellje jo parlamentare.

“Siç ju njoftoj edhe kryetari, mbledhja dështoi për shkak të sjelljes jo parlamentare të shefit të grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi. Megjithatë unë sot isha në emër të grupit të LVV-së. E dënojmë një sjellje të tillë shumë të papërgjegjshme, kërcënime të drejtpërdrejta”, tha Rrustemi.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Edhe, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se nuk do të ketë mbledhje të Kryesisë, pasi sipas tij, shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka kërcënuar stafin e tij

“Mbledhja e sotme nuk do të mbahet për shkak të kërcënimeve të shefit të LDK-së, Arben Gashit drejtuar stafit tim. Kjo gjuhë është e papranueshme. Shprehjet që i përdor janë të papranueshme”.

“Këto sjelle nuk duhet t’i pranojmë. Ishte skandaloze gjuha e tillë sepse është shumë ofenduese me sharje familjare. Ka pasur debat lidhur me shpenzimet e deputetëve”, deklaroi Konjufca para gazetarëve.

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka bërë të ditur se deputetët e kësaj partie do të tërhiqen nga kompensimi i shpenzimeve të udhëtimit në mënyrë vullnetare.

Një vendim i tillë vjen një ditë pas publikimit të listës me emrat e deputetëve, që kanë shpenzuar një shifër të konsiderueshëm parash të shtetit për karburante, e që ngjalli reagime të shumta.

Kusari-Lila ka potencuar se si parti mazhoritare do të kërkojnë nga  Kryesia e Kuvendit, rishikimin e vendimit në fjalë, kështu duke bërë thirrje që edhe deputetët tjerë të aplikojnë të njëjtin standard

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore