Kosova

Vetëm pas reagimeve, LVV thotë se do të tërhiqen nga kompensimi i shpenzimeve të udhëtimit


Ilustrim

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka bërë të ditur se deputetët e kësaj partie do të tërhiqen nga kompensimi i shpenzimeve të udhëtimit në mënyrë vullnetare.

Një vendim i tillë vjen një ditë pas publikimit të listës me emrat e deputetëve, që kanë shpenzuar një shifër të konsiderueshëm parash të shtetit për karburante, e që ngjalli reagime të shumta.

Kusari-Lila ka potencuar se si parti mazhoritare do të kërkojnë nga  Kryesia e Kuvendit, rishikimin e vendimit në fjalë, kështu duke bërë thirrje që edhe deputetët tjerë të aplikojnë të njëjtin standard.

“Aktualisht në legjislaturën e tetë të Kuvendit, janë 67 deputetë të cilët kanë të regjistruar vendbanimin jashtë Prishtinës dhe prej tyre 36 janë nga Lëvizja Vetëvendosje. Me anë të këtij njoftimi duam të informojmë opinion publik, se deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, si shumicë parlamentare, vullnetarisht do të tërhiqen nga kompenzimi i shpenzimeve të udhëtimit”, ka shkruar Kusari-Lila.

Zbatimi i këtij vendimi sipas Kusari-Lilas nuk bëhet me fatura të derivateve, por si pjesë e pagës mujore e cila llogaritet automatikisht me pagën mujore.

“Deputetët me rastin e regjistrimit të tyre për mandate në fillim të secilës legjislaturë, plotësojnë formularët për vendbanimin e tyre. Me rastin e regjistrimit të tyre dhe fillimin e punimeve të Kuvendit, automatikisht fillon llogaritja e pjesëmarrjes së tyre në seanca dhe komisione funksionale, e me to edhe kompenzimi për udhëtime”, ka shtuar ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore