Lajme

Konjufca: Mbledhja e Kryesisë nuk mbahet për shkak të kërcënimeve të Arben Gashit


Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se nuk do të ketë mbledhje të Kryesisë, pasi sipas tij, shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka kërcënuar stafin e tij.

“Mbledhja e sotme nuk do të mbahet për shkak të kërcënimeve të shefit të LDK-së, Arben Gashit drejtuar stafit tim. Kjo gjuhë është e papranueshme. Shprehjet që i përdor janë të papranueshme”.

“Këto sjelle nuk duhet t’i pranojmë. Ishte skandaloze gjuha e tillë sepse është shumë ofenduese me sharje familjare. Ka pasur debat lidhur me shpenzimet e deputetëve”, deklaroi Konjufca para gazetarëve.

Konjufca tha se nuk është ne kompetencë e kryetarit, por se Kryesia e Kuvendit duhet të merret më saktësisht me këtë propozim.

“Kryesia merret me këtë punë dhe dikush duhet ta iniciojë, Grupi i VV-së do të ishte mirë pasi vetë kanë shprehur në mënyrë vullnetare heqje dorë nga ato shpenzime që quhen të rrugës e që parashihen me dokumente të Kuvendit të Kosovës”.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

“Kështu që sapo të paraqitet kjo në Kryesi, ne do ta trajtojmë me optimizëm që do të marrë edhe votat e subjekteve të tjera politike, që besa deri tash kanë thënë se nuk e përkrahin një vendim të tillë”, deklaroi Konjufca.

Ai gjithashtu tha se të paktën kështu është parë nga dy subjekte parlamentare.

“Pasi që sipas tyre kjo ka ndodhur në 2011 që të bëhet një barazi për deputetët që jetojnë larg, si ata në Gjakovë, Prizren apo e tillë, nga ata që jetojnë në Prishtinë që mund të kryejnë punën pa ndonjë shpenzim”.

“E kam lexuar reagimin e shefit të stafit më është dukur reagime ku s’është përmendur asnjë emër, të gjitar emrat më pas janë përmendur nga media të ndryshme e që z.Gashi i ka cilësuar si sulm personal. Pat fyerje e pat sharje me familje shprehje të cilat nuk mund ti përmendi”.

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka bërë të ditur se deputetët e kësaj partie do të tërhiqen nga kompensimi i shpenzimeve të udhëtimit në mënyrë vullnetare.

Një vendim i tillë vjen një ditë pas publikimit të listës me emrat e deputetëve, që kanë shpenzuar një shifër të konsiderueshëm parash të shtetit për karburante, e që ngjalli reagime të shumta.

Kusari-Lila ka potencuar se si parti mazhoritare do të kërkojnë nga  Kryesia e Kuvendit, rishikimin e vendimit në fjalë, kështu duke bërë thirrje që edhe deputetët tjerë të aplikojnë të njëjtin standard.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore