Lajme

Kosovë: Tahiri kërkon shkarkimin e ministrit Rakiç


Abelard Tahiri, Shef i Grupit parlamentar të PDK-së

“Besoj që një ministër i tillë duhet të shkarkohet”, ka deklaruar Abelard Tahiri, Shef i Grupit parlamentar të PDK-së, në një konferencë për medie, të hënën, pas mbajtjes së takimit me Kryesinë e Kuvendit, duke kërkuar shkarkimin e ministrit për Komunitete dhe Kthim, Goran Rakiç.

“Një ministër që bën deklarata kundrejt qeverisë së vendit të cilin e përfaqëson, normalisht nuk e ka vendin në atë qeveri”.

Tahiri ka ripërsëritur qëndrimin e Partisë Demokratike të Kosovës karshi organizimit të zgjedhjeve për referendumin e Serbisë edhe në territorin e Kosovës, duke shtuar se e rëndësishme është që ne të mbrojmë kushtetutën e Kosovës.

“Ndërsa sa i përket çështjes së organizmit të zgjedhjeve të Serbisë është çështje e brendshme e Serbisë se si i organizon, neve na mbetet të mbrojmë kushtetutshmërinë e vendit tonë”.

“Ne nuk duhet të lejojmë në as një rrethanë të organizohen zgjedhje nga një shtet tjetër në vendin tonë, të cilat e shkelin sovranitetin dhe rendin tonë kushtetues”.

“Është pak e rëndësishme çka thonë at, është e rëndësishme që ne të jemi në krye të detyrës dh si grup parlamentar i PDK-së, si subjekt politik, ne padyshim që do të kërkojmë  me ngulm që të respektohet sovraniteti dhe kushtetutshmëria jonë”.

“Ne në të kaluarën kemi bërë kompromise si rezultat i një fqinjësi të mirë, por po e shohim qëllimin jo të mirë të Serbisë në raport me Republikën e Kosovës dhe unë mendoj që kushtetutshmëria jonë të zbatohet në përpikëri”.

 

Shefi i Grupit Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, në një përgjigje për media komentoi “kërcënimin” e ministrit serb në Qeverinë e Kosovës, i cili pas moslejimit të referendumit serb brenda Kosovës, tha se “do të kundërpërgjigjemi me reciprocitet”.

Tahiri madje e shpërfilli edhe pyetjen si “kërcënim”, duke thënë se se “s’ka kurrëfarë kërcënimi” nga kjo gjë, se reciprociteti nuk është kërcënim por qëndrim politik.

Besnik Tahiri, Shefi i Grupit Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës

Sipas tij, Goran Rakiç duke qenë se është ministër në qeverinë e Kosovës, këtë gjë duhet t’ia adresojë Kryeministrit Albin Kurti, dhe pastaj ai të vendosë se a duhet ta mbajë Rakiçin në kabinet apo jo.

“Unë i ftoj qytetarët serbë të Kosovës të reflektojnë. Ta kuptojnë se Kosova është shtet i qytetarëve të saj, dhe ta pranojnë këtë si fakt”.

“Serbia tash e shumë dekada nuk e ndalon agjendën e saj kundër Kosovës, e veçanërisht Vuçiçi. Ne e dimë historinë e tij politike, edhe si ministër i Millosheviçit”, vazhdoi Tahiri.

Ai gjithashtu komentoi edhe votimin e rezolutës kundër mbajtjes së referendumit serb brenda Kosovës, për të cilën tha se veprimi i deputetëve në seancë ka qenë obligim, për të cilën gjë edhe janë betuar.

Për ndalimin e referendumit serb në Kosovë, Besnik Tahiri tha se “argumentet janë në anën tonë”.

“Qeveria duhet të bëjë shpjegim për opinionin e brendshëm, por edhe për opinionin e jashtëm për partnerët strategjik të Kosovës, por jo me mendjemadhësi, as kryelartësi, por me argumente. Dhe argumentet janë në anën tonë”, u shpreh deputeti i AAK-së.

Kryetari i Listës Serbe, Goram Rakiç

Një ditë më parë, të dielën e 16 janarit, Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç, në një konferencë për media në pjesën Veriore të Kosovës ku serbët lokal duke shprehur pakënaqësitë e tyre për moslejimin e mbajtjes së Referendumit në Kosovë po organizojnë një protestë simbolike, ka potencuar se kryetarët e 10 komunave me shumicë serbe në Kosovë do të vendosin reciprocitet në Veri të vendit nëse Qeveria e Kosovës nuk e lejon mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale serbe të 3 prillit.

“Nëse me 3 prill nuk lejohen zgjedhjet e Serbisë në Kosovë, atëherë do të vendoset reciprocitet dhe masat do të jenë serioze”, kishte thënë Rakiç.

Sipas tij, ky lloj reciprociteti do të bëhet vetëm në komunat e Mitrovicës së Veriut, duke shtuar se më pas do të vendoset edhe në komunat tjera.

Rakiç nuk e ka mohuar mundësinë e vendosjes së barrikadave në pjesën Veriore të vendit, kur është pyetur nga gazetarët për një gjë të tillë.

“Nuk mund të përgjigjem është një pyetje hipotetike, por gjithçka është e mundur”, kishte shtuar ai.

“Ashtu siç na trajton Prishtina, ashtu do t’i trajtojmë edhe ne”, ka vazhduar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore