Lajme

Tahiri për “kërcënimin” e Rakiçit – “Le t’ia adresojë Kurtit, dhe ai të vendosë a ta mbajë ose jo në kabinet”


Shefi i Grupit Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri,

Shefi i Grupit Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, në një përgjigje për media komentoi “kërcënimin” e ministrit serb në Qeverinë e Kosovës, i cili pas moslejimit të referendumit serb brenda Kosovës, tha se “do të kundërpërgjigjemi me reciprocitet”.

Tahiri madje e shpërfilli edhe pyetjen si “kërcënim”, duke thënë se se “s’ka kurrëfarë kërcënimi” nga kjo gjë, se reciprociteti nuk është kërcënim por qëndrim politik.

Sipas tij, Goran Rakiç duke qenë se është ministër në qeverinë e Kosovës, këtë gjë duhet t’ia adresojë Kryeministrit Albin Kurti, dhe pastaj ai të vendosë se a duhet ta mbajë Rakiçin në kabinet apo jo.

“Unë i ftoj qytetarët serbë të Kosovës të reflektojnë. Ta kuptojnë se Kosova është shtet i qytetarëve të saj, dhe ta pranojnë këtë si fakt”.

“Serbia tash e shumë dekada nuk e ndalon agjendën e saj kundër Kosovës, e veçanërisht Vuçiçi. Ne e dimë historinë e tij politike, edhe si ministër i Millosheviçit”, vazhdoi Tahiri.

Ai gjithashtu komentoi edhe votimin e rezolutës kundër mbajtjes së referendumit serb brenda Kosovës, për të cilën tha se veprimi i deputetëve në seancë ka qenë obligim, për të cilën gjë edhe janë betuar.

Për ndalimin e referendumit serb në Kosovë, Besnik Tahiri tha se “argumentet janë në anën tonë”.

“Qeveria duhet të bëjë shpjegim për opinionin e brendshëm, por edhe për opinionin e jashtëm për partnerët strategjik të Kosovës, por jo me mendjemadhësi, as kryelartësi, por me argumente. Dhe argumentet janë në anën tonë”, u shpreh deputeti i AAK-së.

Ndërsa ka thënë se kur ka të bëjë për çështje nacionale, AAK-ja do ta mbështes Qeverinë.

“Ju e keni parë qartë që pozicioni i AAK për referendumin ka qenë parimor dhe u kemi dhënë mbështetjen Qeverisë dhe nuk do të kërkojmë që në tema të rëndësishme nuk do të jemi opozitë”, ka thënë ai.

“Qeveria do duhej të bëjë një shpjegim për opinionin e brendshëm dhe ta bëjë një shpjegim për opinionin e jashtëm, pra me faktorin ndërkombëtar me të cilët kemi punuar nga 99-ta. Argumentet e seancës së shtunës kanë qenë argumentues nga ana e palës sonë”, u shpreh Tahiri.

Shefja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari – Lila

Pas deklaratës së ministrit serb, Goran Rakiç, i cili paralajmëroi vendosje të reciprocitetit në rast se në Kosovë nuk do të lejohet të votohet për zgjedhjet e 3 prillit që do të mbahen në Serbi, reagoi edhe shefja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari – Lila.

Kusari-Lila tha se reciprociteti si koncept bëhet në mes të dy shteteve, nuk bëhet në kuadër të një shteti në mes të dy etnive.

“Kosova është shtet multietnik, prandaj si koncept i tillë në kuadër të territorit të Kosovës nuk mund të aplikohet  dhe nuk ekziston. Rezoluta ka rikonfirmuar edhe vullnetin e të gjitha partive politike, në raport me një proces që shkel sovranitetin dhe kushtetutshmërinë e Kosovës”, deklaroi Kusari-Lila.

Ajo shtoi se votimi për zgjedhje qofshin ato parlamentare, apo siç ishte me referendum të një shteti tjetër apo shtetasve tjerë me dy shtetësi është i paraparë, dhe siç u ritheksua ekzistojnë metoda sesi votohet, me shkuarje në shtetin ku mbahen zgjedhjet, në ambasada, me postë.

“Si parim është përcaktuar dhe mund të bëhen përgatitjet para mbajtjes së zgjedhjeve në Serbi që ato të kryhen në këtë formë , dhe të kuptohet se Kosova është një tersi territoriale, një shtet i pavarur dhe sovran”, tha Kusari-Lila.

Kusari-Lila theksoi se sesioni pranveror i Kuvendit të Kosovës do të nis të enjten më 20 janar 2022.

“Fillimi i punimeve të rregullta i sesionit pranveror  do të jetë data 20 janar, të enjten. Të enjten do të mbahet edhe debati parlamentar i kërkuar nga AAK, në lidhje me rritjen e çmimeve, pas kësaj do të vazhdohet me punimet e seancave të mbetura nga sesioni vjeshtor me mundësin e vazhdimit të punimeve ditën e premte për të gjitha pikat që kanë mbetur pa u miratuar në sesionin që u përmbyll në vitin 2021”, tha Kusari-Lila.

Kryesia e Kuvendit të Kosovës u mblodh në një takim këtë të hënë duke shënuar kështu mbledhjen e parë për këtë vit.

Shefat e të gjitha Grupeve Parlamentare ishin mbledhur në sallën ku u mbajt ky takim, për të caktuar edhe mbajtjen e seancës së radhës së Kuvendit.

Në këtë mbledhje nuk morën pjesë përfaqësuesit e Listës Serbe e as të pakicave tjera.

Ndryshe, seanca e fundit që u mbajt në Kuvend ishte e jashtëzakonshme, ku u miratua rezoluta për të mos e lejuar mbajtjen e referendumit të Serbisë në Kosovë.

Shefat e grupve Parlamentare, ne Kuvendin e Republikes e Kosoves

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore