Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar se në koordinim me Njësinë Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, në Gjilan, kanë ndaluar dy persona për 48 orë, si të dyshuar për ‘’Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar’’ dhe ‘’Falsifikim të dokumenteve’’.
I dyshuari me inicialet T.S. është – ish drejtor i Shëndetësisë në Komunën e Novobërdës, ndërsa i dyshuari tjetër me inicialet A.R. – është pronar i kompanisë ‘’AWA Sh.p.k’’, me seli në Prishtinë.
Sipas njoftimit të Prokurorisë thuhet se bazuar në hetimet e deritanishme, ekziston dyshimi se kompania e lartcekur nuk ka furnizuar Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare(QKMF) të Komunës së Novobërdës me barna dhe produkte tjera medicinale, por ka lëshuar fatura fiktive se kinse i ka furnizuar të njëjtat.
I dyshuari T.S., me urdhër të prokurorit të shtetit është ndaluar për veprën penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, ndërsa, i dyshuari A.R., dyshohet për veprën penale ‘’Falsifikimi i dokumenteve’’.
Brenda afatit ligjor ndaj të njëjtëve Prokuroria do të kërkojë masën për sigurimin e të pandehurve në procedurë penale, thuhet në njoftim të Prokurorisë Themelore të Gjilanit.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com