Petkoviç: Asociacioni është i rëndësishëm, nëse Kurti se kupton këtë, ka zgjedh profesionin e gabuar
Drejtori i të ashtuquajturës Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke e refuzuar themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, i ka dhënë edhe një herë goditje normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
“Nëse Kurti nuk e kupton se stabiliteti rajonal, progresi social dhe ekonomik janë në interes të shqiptarëve në Kosovë, atëherë ai ka zgjedh profesionin e gabuar”, tha Petkoviç për Tanjug.
Sipas tij, formimi i Asociacionit është në interes të Serbisë dhe popullit serb, “sepse është negociuar si një mekanizëm solid për mbrojtjen e të drejtave dhe pozitës së serbëve në Kosovë dhe se kjo nuk duhet të jetë problem për asnjë politikan përparimtar shqiptar”.
Të enjten, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar se Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë është interes i Serbisë.
Sipas Kurtit, për këtë arsye “nuk ka pse të merrem me të”.
“Asociacioni një nga 33 marrëveshjet e arritura, e që s’e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese. Serbia e përmend pikërisht këtë. Por s’ekziston një hierarki që na thotë se kjo është marrëveshja më e rëndësishme. Për Serbinë po. Por ajo që është më e rëndësishmja për Serbinë, s’është për mua. Për mua është ajo për diploma, ajo për IBM”, ka thënë fillimisht ai.
Për Asociacionin, Kurti ka potencuar se më shumë i bëhet trusni nga vendorët se ndërkombëtarët.
“Nuk kam pse të merrem shumë me të. Ai është interes i Serbisë. Është interes i Serbisë dhe këtë s’e harroj. Pse të merrem ditë e natë me interes të Serbisë. Merrem me interesa të Kosovës. ua shpjegoj ndërkombëtarëve qëndrimin tonë, por ai s’është interes as i serbëve të Kosovës”.
“Asnjë s’ka ardhur të më thotë zbatoje. Edhe sa i përket qëndrimit të SHBA-së, me administratën e re karshi Serbisë, edhe me letrat e presidentit Joe Biden kryefjala është njohja e ndërsjellë. Besoj se është obligim dhe detyrë e çdo qytetari që në pikënisje në raport me Serbinë ta ketë kërkesën për njohje, jo për Asociacion”.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Partia do ribëhet, Meta paralajmëron ata që nuk janë pro tij
-
Deputeti gjerman skeptik për anëtarësimin e Kosovës në KiE – çështja është Asociacioni
-
Flota “fantazmë” ruse në Mesdhe: Ja se si Moska lëviz armët dhe naftën nën sytë e Perëndimit
-
Osmani: Serbia duke mos i hapur arkivat po e shkelë deklaratën për të zhdukurit