Përmes raportit të Institutit të Kosovës për Drejtësi, “Ndjekja dhe gjykimi i korrupsionit në prokurimin publik”, është bërë e ditur se Prokurori i Shtetit nuk ka ngritur asnjë aktakuzë me vetiniciativë dhe nuk ka bashkëpunuar me institucione të tjera për parandalimin e korrupsionit.
As këto të fundit, përveç Policisë së Kosovës nuk kanë paraqitur denoncim për korrupsion në prokurim publik.
Hulumtuesi i lartë në IKD, Gzim Shala deklaroi se ka pasur një pasivitet sa i përket luftës së korrupsionit në fushën e prokurimit publik.
E që sipas tij ky pasivitet është shfaqur edhe në sistemin gjyqësor.
“Prokurori i Shtetit gjatë kësaj periudhe kohore nuk ka pasur një rol proaktiv në luftimin e korrupsionit në fushën e prokurimit publik dhe kjo vërtetohet edhe nga faktet se gjatë gjithë kësaj periudhe nuk e kemi asnjë rast i cili është iniciuar nga ana e Prokurorit të Shtetit me vet-iniciativë mbi bazën e gjetjeve”, deklaroi Shala.
IKD ka gjetur edhe mos-bashkëpunim të Prokurorit të Shtetit me institucione të tjera.
“Kjo për faktin se në vitin 2020, përjashtimisht Policisë së Kosovës, asnjë institucion tjetër nuk ka deponuar në Prokurorinë e Shtetit ndonjë kallëzim penal për keqpërdorim në fushën e prokurimit publik”, ka thënë Shala.
Më tej, Shala theksoi se në sistemin prokurorial nuk ka të angazhuar mjaftueshëm ekspertë në fushën e korrupsionit dhe prokurimit publike.
“Sistemi prokurorial i ka vetëm gjashtë ekspertë në këtë fushë dhe të gjithë janë të angazhuar në Prokurorinë Speciale dhe nuk janë të angazhuar edhe në prokuroritë tjera themelore të cilat trajtojnë rastet e korrupsionit në fushën e prokurimit publik”, ka thënë ai.
Hulumtuesi Mirvet Thaçi, ka përmendur edhe mungesën e rezultateve konkrete nga ana e sistemit të drejtësisë tek fusha e konfiskimit të pasurisë.
Sipas Thaçit, ky sistem nuk është i vëmendshëm sa i përket domosdoshmërisë së luftimit dhe parandalimit të keqpërdorimeve në fushën e prokurimit publik.
“Gjatë vitit 2020 në asnjërën prej këtyre nuk kemi kërkesa për sekuestrim apo konfiskim përfundimtar të pasurisë të përfituar në mënyrë të kundërligjshme. Derisa te aktakuzat e ushtruara gjatë vitit 2021 është bërë vetëm një kërkesë e tillë dhe është propozuar konfiskimi i një veture në pronësi të të pandehurit”.
Ai shtoi se, “një gjetje të tillë e ka konstatuar IKD vazhdimisht tek rastet e korrupsionit, mirëpo kjo problematikë po bartet edhe te rastet e keqpërdorimit në fushën e prokurimit publik”.
Në këtë raport thuhet se nuk janë respektuar as afatet ligjore në trajtimin e këtyre rasteve. Gjatë vitit të kaluar në katër rastet e përfshira në këtë hulumtim nuk është caktuar asnjë seancë gjyqësore.
Instituti i Kosovës për Drejtësi ka rekomanduar që Prokurori i Shtetit të ketë rol proaktiv në hetimin e rasteve në Prokurimin Publik duke iniciuar raste me vetiniciativë.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.comLajmet kryesore
-
Qeveria plan me 4 pika për rritjen e kreditimit të ekonomisë, në fokus bujqësia
-
Reforma e inspektimeve, Rama: Krijojmë një forcë të re autonome të shkëputur nga ministritë
-
Pothuajse 450 mijë njerëz janë larguar nga Rafah brenda një jave, thotë OKB
-
Dikur ftonte të votohej Joe Biden, tash Kurtit i ndryshojnë preferencat politike në Amerikë