Lajme

Mehaj lavdëron Rrahman Ramën: Eksperienca e tij profesionale – rëndësi e madhe për diplomacinë tonë


Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka falënderuar ish- gjeneral Rrahman Ramën,

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, teksa ka falënderuar ish- gjeneral Rrahman Ramën, për bashkëpunimin dhe koordinimin e ngushtë përgjatë punës së tyre të përbashkët, Mehaj ka theksuar se “eksperienca e madhe profesionale dhe lidershipit ushtarak të tij, do të jetë shumë e rëndësishme për diplomacinë tonë të mbrojtjes dhe sigurisë”.

Ai përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka treguar se të mërkurën e një dhjetorit ka pritur Ramën, një ditë pas lirimit të këtij të fundit nga detyra e Komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“I shpreha falënderimin për bashkëpunimin dhe koordinimin e ngushtë përgjatë periudhës tetë mujore të punës së përbashkët”.

“Mirënjohje dhe vlerësim i lartë për gjithë kontributin e lidershipin efektiv të Ramës. Me këtë rast, në emrin tim dhe të gjithë zyrtarëve dhe ushtarakëve të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, i shpreha mirënjohjen dhe vlerësimin më të lartë për kontributin dhe lidershipin e lartë të treguar gjatë shërbimit si Komandant i FSK-së”, ka shkruar Mehaj.

Pas emërimit të gjeneralmajor Bashkim Jasharit në krye të FSK-së, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Rama do të angazhohet në Qendrën Rajonale të Ndihmës për Verifikimin dhe Zbatimin e Kontrollit të Armëve (RACVIAC) me seli në Kroaci.

Fotoja e pranim-dorezimit te detyres. Nga e majta: Jashari, ministri Mehaj dhe Rama

Por, çfarë është RACVIAC?

Organizata ka për qëllim nxitjen e dialogut dhe bashkëpunimit për çështjet e sigurisë në Evropën Juglindore.

RACVIAC është themelua në vitin 2000 si Qendra Rajonale e Ndihmës për Verifikimin dhe Zbatimin e Kontrollit të Armëve me qëllim që të ofrojë trajnime për kontrollin e armëve, të promovojë masat e ndërtimit të besimit dhe sigurisë dhe të zgjerojë bashkëpunimin në Evropën Juglindore (EJL).

Në mbledhjen e mbajtur më 10 tetor të vitit 2014, Republika e Kosovës ishte ftuar të marrë pjesë në baza të përhershme, në të gjitha nivelet dhe në kushte të barabarta në të gjitha aktivitetet dhe takimet e RACVIAC & MAG, por me fusnotë (*).

RACVIAC

Këto zhvillime ndodhën pasi, javën e shkuar, Albanian Post kishte raportuar se kishte dy muaj që po përgatitej shkarkimi i gjenerallejtënant Ramës.

Kërkesa e ministrit Mehaj, për t’i përdorur automjetet e tipit M1117 ASV, në kundërshtim me marrëveshjen me Departamentin e Mbrojtjes, në operacionin e Policisë së Kosovës në veriun e vendit, ka thyer përfundimisht shtizat.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore