Kosova

Ku do të shërbejë Rrahman Rama pas tërheqjes nga shefi i FSK-së?


Gjenerallejtënant Rrahman Rama

Pas dorëheqjes nga pozita e komandantit të Forcës së Sigurisë të Kosovës (FSK), Gjenerallejtënant Rrahman Rama dhe emërimit të gjeneralmajor Bashkim Jasharit në krye të FSK-së, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Rama do të angazhohet në Qendrën Rajonale të Ndihmës për Verifikimin dhe Zbatimin e Kontrollit të Armëve (RACVIAC) me seli në Kroaci.

Por, çfarë është RACVIAC?

Organizata ka për qëllim nxitjen e dialogut dhe bashkëpunimit për çështjet e sigurisë në Evropën Juglindore.

RACVIAC është themelua në vitin 2000 si Qendra Rajonale e Ndihmës për Verifikimin dhe Zbatimin e Kontrollit të Armëve me qëllim që të ofrojë trajnime për kontrollin e armëve, të promovojë masat e ndërtimit të besimit dhe sigurisë dhe të zgjerojë bashkëpunimin në Evropën Juglindore (EJL).

RACVIAC

Me synimin për të rritur stabilitetin rajonal, Qendra ‘RACVIAC’ më vonë kishte zgjeruar fushën e saj të aktiviteteve për të përfshirë një gamë të gjerë çështjesh politiko-ushtarake, duke përfshirë reformën e sektorit të sigurisë dhe bashkëpunimin ndërkombëtar dhe rajonal me fokus në integrimin euroatlantik.

Zhvillimet dhe ndryshimet në mjedisin e sigurisë dhe nevojat në ndryshim të vendeve të EJL-së, kishin bërë të nevojshëm rishikimin e misionit, objektivave dhe strukturës së RACVIAC.

Kjo në vitin 2007 çoi në fillimin e procesit të transformimit të Qendrës, ku u përmbyll me nënshkrimin e një Marrëveshjeje të re për RACVIAC në 2010.

Me Marrëveshjen, e ratifikuar në dhjetor 2011, Qendra fitoi statusin e organizatës ndërkombëtare në pronësi rajonale dhe u riemërua RACVIAC – Qendra për Bashkëpunim në Siguri.

RACVIAC

Në këtë organizatë janë të përfshira 29 kombe.

Anëtarë të rregullt të saj janë: Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Greqia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Rumania, Serbia dhe Turqia.

Anëtarë të asociuar janë të gjitha vendet e tjera që dëshirojnë të mbështesin dhe kontribuojnë në dialogun dhe bashkëpunimin e sigurisë në EJL si: Austria, Çekia, Danimarka, Franca, Gjermania, Hungaria, Italia, Holanda, Norvegjia, Rusia, Sllovenia, Spanja, Suedia dhe Britania e Madhe.

Kurse anëtarë vëzhgues janë shtetet, institucionet ose organizatat e tjera, të cilat mund të marrin pjesë në aktivitetet e RACVIAC si vëzhgues. Aktualisht janë: Kanadaja, Moldavia, Polonia, Sllovakia, Ukraina dhe SHBA-të.

Kosova

Në mbledhjen e mbajtur më 10 tetor të vitit 2014, Republika e Kosovës ishte ftuar të marrë pjesë në baza të përhershme, në të gjitha nivelet dhe në kushte të barabarta në të gjitha aktivitetet dhe takimet e RACVIAC & MAG, por me fusnotë (*).

Këto zhvillime ndodhën pasi, javën e shkuar, Albanian Post kishte raportuar se kishte dy muaj që po përgatitej shkarkimi i gjenerallejtënant Ramës.

Kërkesa e ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj, për t’i përdorur automjetet e tipit M1117 ASV, në kundërshtim me marrëveshjen me Departamentin e Mbrojtjes, në operacionin e Policisë së Kosovës në veriun e vendit, ka thyer përfundimisht shtizat.

FSK

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore