Përballje

Pasardhësit e gladiatorëve – Përse shikohen kaq shumë artet marciale?


Sheymon Moraes dhe Julio Arce duke përgëzuar njëri – tjetrin pas një supermeçi që zhvilluan me 4 nëntor 2018 në UFC 230.

Në vitet e fundit MMA (Artet Marciale të Përziera) është bërë një nga sportet më të ndjekura në botë.

Nga të gjitha sportet luftarake MMA ngjanë më brutali.

Aty lejohet pothuajse gjithçka – nga thyerja e gjymtyrëve e deri te plandosja pandjenja për toke.

Lejohet të godasësh me duar, këmbë, gju, bërryla.

Lejohet kapja dhe përdredhja e gjymtyrëve dhe gjithashtu shtrëngimi i qafës derisa kundërshtari humbë ndjenjat.

////////////

Shoqëria njerëzore ka lëvizur shumë përpara, mirësjellja nuk është opsion, por rregull.

Në botën e civilizuar jo goditja, por edhe tentimi për të goditur dikë dënohet me ligj.

Derisa në anën tjetër, në mes të këtij civilizimi, shikohet me pasion e eufori dëmtimi i tjetrit deri në gjakosje brutale.

Përse?

Historia na tregon që njerëzit gjithmonë kanë shijuar të shikojnë njerëzit e tjerë duke u rrahur.

Ky pëlqim për dhunë mes njerëzve është prezent që nga koha kur Koloseumi mbushej me qindra e mijëra shikues për të parë gladiatorët duke luftuar deri në vdekje.

Edhe pse në kohën moderne luftëtarët nuk luftojnë deri në vdekje, MMA ngreh një paralele të ngjashme me kohërat e vjetra të gladiatorëve.

Duke i vendosur dy njerëz në qendër të rrethuar me qindra njerëz dhe duke i lënë luftëtarët të përdorin gjithë guximin e tyre mendor dhe fizik për të vendosur fitimtarin.

Për të ndaluar ndonjë fatkeqësi, gjithmonë afër qëndron gjyqtari i cili ndalon ndeshjen në momentin ku ai mendon qe ka rrezik.

Ekzistojnë rastet ku njerëzit kanë vdekur në duele të MMA, sidoqoftë shumica e këtyre rasteve kanë ndodhur pas përfundimit të ndeshjes, sepse nuk kanë mundur të përballojnë lëndimet e duelit.

Por, çfarë ngjalli kureshtjen e njerëzve është Stili i luftëtarëve. Ishte koncepti se “Stili i kujt do të fitoj” ajo që shumë e konsideruan intriguese të shihnin rezultatin.

Gjithashtu, luftimet ishin të bazuara në turne, kështu që të shihnin vetëm një fitues në fund ishte kurioziteti kryesor i shikuesve.

Duelet u bën burim argëtimi ku përlesheshin dy luftëtarë kundër njëri-tjetrit, që në vetvete, për shumë njerëz ishte e shkëlqyeshme për t’u parë. Disa tifozë dëshironin të shihnin vetëm një gjë: një njeri të rrihet, të përgjaket ose të nokautohet.

Në shumë sporte të tjera, janë ekipet ato që mbështeten, jo lojtarët. Edhe në Olimpiadë, njerëzit shikojnë sportistët individualë të performojnë, por ata mbështesin shtetin, jo individin.

Kurse, në MMA, njerëzit kryesisht mbështesin një luftëtarë të caktuar. Këta luftëtare, kanë kampe dhe shokë të tjerë të ekipit, por kur mbyllet dera e kafazit, e gjitha ka të bëjë vetëm me dy luftëtarët.

Në shumicën e sporteve, krenaria është gjëja më e madhe që sportistët mund të humbin, ndërsa luftëtarët e MMA vendosin trupat e tyre, dhe ndonjëherë edhe jetën e tyre në rrezik.

Nga perspektiva e spektatorit, sa më i rrezikshëm që është dueli, aq më emocionuese është drama.

Prejse ekziston njerëzimi, ka ekzistuar edhe dëshira e ndeshjes. Ideja se mund ta ballafaqosh rrezikun dhe ta dominosh tjetrin është përmbushje përtej se fizike.

Pra është në natyrën e njerëzve të godasësh, ka qenë gjithmonë. Prandaj shikimi i sporteve luftarake është thjesht një zgjatje e vesit.

Normalisht, jo të gjithëve u pëlqen. Disa janë më të prirur se tjerët. Një hulumtim në Universitetin Bloomington të Indianas në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga qindra studentë të pyetur, gjetjet ishin se ato personalitete që janë për nga natyra më rrezik-provuese dhe që thoshin se u pëlqen ndjenja e frikës – studimi tregonte – ishin po ata që shikonin më shumë Arte Marciale.

Gjithsesi, nuk është domosdoshmërisht dhuna që shumë tifozë të sportit i bën ta pëlqejnë.

Në një sondazh me pyetje që ishte bërë në një event amator të MMA-së, u gjet se është drama e situatës, ideja e të panjohurës, ndjenjë më e fuqishme sesa vetë dëshira për të parë dhunë.

Një nga njerëzit më të famshëm në botën e MMA, prezantuesi dhe analisti Joe Rogan, i përkufizon ndeshjet në artat marciale si “një problem enigmatik që duhet të zgjidhësh, por që nëse nuk e bën pasojat janë tmerrësisht të mëdha”.

Ndërsa Angelo Baaco, një praktikues i arteve marciale, thotë se “do argumentoja se lufta mes dy njerëzve është një nga gjërat më natyrale në natyrën njerëzore”.

“Është në ADN-në tonë që të ndeshemi edhe është pikërisht kjo natyrë që na ka bërë të mbijetojmë deri në këtë kohë”.

Një nga argumentet tjera është se adrenalina njerëzore natyrshëm çon te ndeshja fizike.

Për shembull, në sportet tjera, kur çmimi i ndeshjes është i lartë, kur është në pyetje një ndeshje shumë e rëndësishme, shumë shpesh ndodhë që të shihni ekipet të përleshen fizikisht.

Dhe për fund.

Kur shikoni ndeshje të arteve marciale, ose formave të tjera të rrahjes, gjithmonë, ose pothuajse gjithmonë, dy kundërshtarët që rriheshin për jetë a vdekje me njëri – tjetrin, përfundojnë në përqafime dhe vlerësime për tjetrin.

Mbase pas qindra vjetësh, njerëzit do të heqin dorë nga sporte të tilla ku rrezikohet jeta – tani për tani, kushtëzohemi ta pranojmë se të rrahurit është i pashkëputshëm nga natyra njerëzore. Është NE.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore