Mesfushori dhe kapiteni i West Ham, Declan Rice, është fokusi kryesor i Manchester United për verën e ardshme.
Djajtë e kuq këtë verë përforcuan skuadrën me shumë transferime të mëdha.
Varane erdhi nga Real Madrid-i, Sancho nga Dortmund-i dhe rikthimi i madh i Cristiano Ronaldo-s ndodhi.
Këto transferime e vendosën United-in përsëri në listën e favoritëve pas shumë kohësh, jo vetëm në Angli, por edhe në Evropë.
Mirëpo, deri sa sezoni vazhdon, te djajtë e kuq shihet një mungesë e qartë.
Një mesfushor defensiv, që lidh mbrojtjen me sulmin.
Fred, Matic dhe McTominay janë të tre futbollistë që po bëjnë shumë gabime dhe kritikat e tifozëve të klubit janë të mëdha.
Në këtë mënyrë, United ka kthyer të gjithë fokusin e tyre kah përforcimi i kësaj pozite, dhe emri i parë në listë është talenti i çekanëve, Declan Rice.
Rice tashmë ka zënë një vend startues edhe në kombëtaren angleze dhe ky me shumë mundësi është sezoni i fundit për të në “London Stadium”.
Mirëpo, Manchester United nuk është e vetme në këtë garë, me Chelsea-n që, po ashtu, po e përcjell nga afër situatën.
Lufta për Declan pritet të jetë e madhe mes këtyre dy skuadrave, ashtu si lufta e tyre për titull këtë edicion.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com