Lajme

Përfundon mbledhja e Këshillit të Sigurisë, Qeveri s’njofton asgjë


Mbledhja e Këshillit të Sigurisë së Kosovës ka përfunduar në orët e vona të së shtunës, për këtë ka njoftuar Qeveria e Kosovës, por në fakt nuk tregohet asgjë konkrete mbi atë se çfarë është diskutuar.

Në njoftim thuhet ajo që dihet tashmë se bëhet fjalë për situatën në Veri, por nuk janë nxjerrë përfundime e as nuk janë dhënë sugjerime. Të paktën këto nuk janë bërë publike për opinionin.

Njoftimi i Qeverisë së Kosovës është shumë i shkurtë dhe i përmbledhur në tre paragrafë, por thuhet se mbledhja e Këshillit të Sigurisë së Kosovës është udhëhequr nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

Në mbledhje është shqyrtuar situata e sigurisë në Republikën e Kosovës “pas fillimit të zbatimit të vendimit për pajisjen me targa të përkohshme për automjetet me targa të Serbisë”.

Gjithashtu, është diskutuar edhe koordinimi i mëtejmë i veprimeve strategjike në shërbim të paqes dhe sigurisë, kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në vend, thuhet në njoftim.

“Institucionet e Republikës së Kosovës mbesin të përkushtuara për ruajtjen e rendit, sigurisë publike dhe sundimit të ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës”, përfundon njoftimi duke mos dhënë hollësi të më tejme për takimin.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, Këshilli i Sigurisë i Republikës së Kosovës kryesohet nga Kryeministri me mbështetje nga Qeveria, përveç gjatë periudhës së Gjendjes së Jashtëzakonshme, sikurse është parashikuar me këtë Kushtetutë.

Pas situatës së krijuar në dy pikat kufitare në Veri të Kosovës, në Jarinje dhe në Brnjakë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të shtunën në një konferencë për media ka bërë të ditur se ka thirrur mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Kosovës.

Mbledhja është thirrur pasi në orët e hershme të së shtunës, Qendra e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok është djegur, ndërsa është sulmuar edhe Qendra e Regjistrimit Civil në Zveçan.

Sipas hetimeve preliminare aty janë hedhur dy bomba dore, por të cilat “nuk kanë eksploduar”.

Nga ana tjetër avionët luftarak serb “Mig-29” kanë patrulluar të shtunën në brezin e gjelbërt të sigurisë, duke shkelur Marrëveshjen e Kumanovës dhe duke sfiduar autoritetin e NATO-s në Kosovë.

Ushtria serbe gjatë ditës nga qyteza e Rashkës ka nisur një divizion të tankeve T-72 në drejtim të kufirit me Kosovën, përkatësisht në afërsi të Jarinjes.

Helikopterët serbë të premtën pas mesditës kanë hy në territorin e Kosovë duke provokuar Policinë e Kosovës në Jarinje dhe duke motivuar serbët protestues në barrikadën e ngritur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore