Lajme

Hoxhaj: Kosova pa ambasadorë në 20 vende, Serbia ka përgatitur ofensivë për tërheqjen e njohjeve


Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka shkruar në llogarinë e tij në Facebook se pas përfundimit të memorandumit që u arrit me 4 shtator vitin e kaluar “Serbia ka përgatitur një ofensivë për tërheqjen e njohjeve të Kosovës”, derisa “vendi ynë ka mbetur pa ambasadorë në 20 misione diplomatike”.

‘’Politika është e jashtme, por qëllimet janë gjithmonë të brendshme. Që nga 1 shtatori kanë mbetur mbi 20 misione diplomatike pa ambasadorë. Disa janë të mbyllura plotësisht. Pas 4 shtatorit, Serbia ka përgatitur një ofensivë për tërheqje të njohjeve të Kosovës, siç më treguan disa miq në botë”, ka shkruar Hoxhaj.

Duke shtuar se, “po ashtu, ka përgatitur edhe goditje ndaj Kosovës në organizata ndërkombëtare, ku ne tashmë jemi anëtar. Në vend që diplomacia jonë ta mbronte sovranitetin e jashtëm, ajo mjerisht po e godet veten nga brenda për të qenë e paralizuar jashtë’’.

Ndërsa, ka vënë në pikëpyetje nëse kjo është rastësi apo mosdije.

“A është kjo rastësi apo ka të bëjë me mosdije e papërgjegjësi? Në vitet e fundit, Kosova kishte pezulluar tërësisht politikën e jashtme Kjo po ndodhë kur në Evropë kemi një rirreshtim të ri, ndërsa në botë lajmet ditore janë më shumë se lajme”.

Hoxhaj, është shprehur se Kosova asnjëherë nuk ka qenë më e rrezikuar sesa tani.

Politika është e jashtme, por qëllimet janë të brendshme! E kur nuk ka rezon shtetëror brenda, por iluzion për veten dhe botën, vizioni i jashtëm është politikë e rënies së lirë. Kosova asnjëherë në historinë e pas-pavarësisë nuk ka qenë më e rrezikuar sesa sot nga zhbërja e të arriturave kolosale në politikën e jashtme’’, shtoi tutje Hoxhaj.

Më 31 gusht edhe Ambasada e Kosovës në Shqipëri ka mbetur pa ambasador.

Misioni i ambasadorit të Kosovës në Shqipëri, Nait Hasani, ka përfunduar, ashtu si edhe e 10 ambasadorëve të tjerë të Kosovës nëpër vende të ndryshme të botës.

Po ashtu, pa ambasador, Kosova ka mbetur edhe n Kroaci. Kryediplomati kosovar në shtetit Kroat, Gëzim Kasapolli, ka njoftuar se pas katër vjetësh punë si ambasador në Kroaci tashmë e ka dorëzuar këtë detyrë.

Njëjtë si Kasapollit, edhe Ambasadori i Kosovës në Australi, Hajdin Abazi, ka njoftuar në Facebook se e ka përfunduar misionin si ambasador i këtij shteti. Por, siç ka deklaruar dhe vetë Abazi, nuk kishte kujt t’ia dorëzonte postin meqë Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporë në Kosovë nuk i ka dorëzuar e as emëruar ende diplomatët e rinj që do ta përfaqësojnë Kosovën.

 

Çka është marrëveshja e Uashingtonit?

Marrëveshja e Uashingtonit për normalizim ekonomik është nënshkruar me 4 shtator të vitit 2020 në Shtëpinë e Bardhë nga ana e Kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në prani të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

Sipas kësaj marrëveshje Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë disa marrëveshje si atë për autostradën Prishtinë-Beograd, marrëveshjen për hekurudhave duke u përkushtuar në studimin e fizibilitetit për mundësitë e lidhjes së infrastrukturës hekurudhore mes dy vendeve dhe me një me një port në det të thellë në Adriatik.

Po ashtu kjo marrëveshje parasheh që të dy vendet të punojnë me Korporatën Ndërkombëtare të SHBA-së për Zhvillim Financiar dhe EXIM, në memorandumet e mirëkuptimit, për të operacionalizuar autostradën, hekurudhat dhe sigurimin e financave.

Marrëveshja si e tillë përmban shumë tema të përbashkëta të të dy vendeve, disa prej tyre tashmë janë hapur si ajo e “Mini-Shengenit”.

Një pikë e marrëveshjes thotë se “Kosova (Prishtina) do të pajtohet që ta zbatojë një moratorium njëvjeçar, për të mos kërkuar anëtarësim të ri në organizata ndërkombëtare”

Ndërsa për Serbinë thotë se do të “pajtohet ta zbatojë një moratorium njëvjeçar mbi fushatën e saj për çnjohje dhe do të përmbahet nga kërkesa zyrtare ose jozyrtare ndaj ndonjë vendi ose organizate ndërkombëtare, që të mos e njohë Kosovën (Prishtinën) si shtet të pavarur. Të gjitha marrëveshjet për të hequr dorë do të hyjnë në fuqi menjëherë”.

Marrëveshja e Uashingtonit për normalizim ekonomik.

Si pika më e fuqishme në kohën kur Kosova kishte një stagnim të gjatë në njohje të shtetit parasheh kjo marrëveshje, atë të njohjes së Izraelit

“Kosova (Prishtina) dhe Izraeli pajtohen të njohin njëri-tjetrin”.

Kosova tashmë ka hapur Ambasadën e saj në Jerusalem duke lidhur raporte diplomatike me Izraelin.

Takimi i Uashingtonit mes Kosovës dhe Serbisë ishte planifikuar të ndodh më parë, por se pas njoftimit për akuzë për krime lufte ndaj Presidentit Hashim Thaçi nga ana e Prokurorisë së Gjykatës Speciale, ky i fundit kishte anuluar udhëtimin për në SHBA

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore