Libra

Kalaja e Tiranës mirëpret “Thesare nga Biblioteka e Arkivit”


“Thesare nga Biblioteka e Arkivit” quhet ekspozita e hapur së fundmi, në ambientet e Kalasë së Tiranës, nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë.

Në të u ekspozuan antikuarë dhe libra të rrallë, që përbëjnë vlerë për trashëgiminë e Arkivit.

Ekspozita u hap në praninë e ministres së Kulturës, Elva Margariti, drejtorit të Përgjithshëm të Arkivit, Ardit Bido, dhe administratores së Kalasë së Tiranës, Klodiana Toptani.

Në fjalën hapëse të ekspozitës, ministrja Margariti i quajti veprat e ekspozuara thesare që përçojnë vlera të arta.

“Zbulova me kënaqësi se edhe në Arkivin e Shtetit, po njësoj gjatë vitit të pandemisë, është bërë një punë e palodhur, e cila ka nxjerrë në pah akoma dhe më tepër pasurinë dhe të gjithë thesaret e bibliotekës, një bibliotekë e fjetur për 30 vite”, tha ajo.

Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave të Shqipërisë, Ardit Bido, tha se veprat e ekspozuara janë kopje unike në Shqipëri.

“Këto antikuarë janë një pasuri e rrallë e kombit tonë, e cila ka qenë e fshehur nga sytë e publikut për vite të tëra. Mirëpo është e domosdoshme që edhe të shkojmë ne, t’u çojmë pranë të rinjve, sidomos për të nxitur kërshërinë e tyre, për të vijuar studime e tyre”, u shpreh Bido.

Në eventin e hapjes nuk munguan sa fëmijët. Administratorja e Kalasë së Tiranës e vlerësoi me rëndësi njohjen e tyre me veprat e arkivit.

Antikuarët e rralla, mes të cilave “Vepra nga Shën Gregori, Papë”, 1608, “Athanasi i Aleksandrisë”, 1686, “Histori e vjetër e egjiptianëve, kalcedonasve, asirianëve, babilonasve”, do të qëndrojnë të ekspozuara për publikun përgjatë 15-16 qershorit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore