Sport

90 minutat e fundit, nuk ka kohë për gabime, Superiorja kërkon një ekip fitues


Kategoria Superiore e futbollit në Shqipëri do të luajë ditën e mërkurë ndeshjet e fundit të sezonit 2020/21. Kur kanë mbetur edhe 90 minuta, nga përfundimi i sezonit, katër ekipe janë në garë për titullin kampion dhe dy për qëndrimin në Superiore.

Pesë sfida janë parashikuar për të mërkurën, duke filluar nga ora 17:00. Në pesë sfida do të ketë tre finale të mëdha.

Vllaznia dhe Laçi do të kene një finale mes tyre për titullin, Partiazni do të luajë shansin e titullit në Ballsh përballë Bylisit, ndërsa Teuta në shtëpi përballë Apolonisë.

Në dy sfidat e tjera, Tirana do të ndeshet me Skënderbeun, ndërsa Kukësi do të ketë përballë Kastriotin.

Teuta është kryesuesja aktuale e Superiores me 63 pikë. Po aq pikë, ka edhe Vllaznia e vendit të tyre. Më pas vijnë Partizani me 62 pikë dhe Laçi me 61 pikë. Praktikisht të katër ekipet janë në garë për titullin kampion.

Teuta ka ndeshjen më të lehtë në letër, pasi Apolonia është e rënë tashmë nga kategoria, por së paku në ndeshjet e fundit e ka treguar se po respekton kampionatin deri në fund.

Partizani do ketë një transfertë disi të vështirë në Ballsh, pasi vendasit luajnë qëndrimin në Superiore, duke shpresuar se Kukësi do të bëjë detyrën përballë Kastriotit.

Vllaznia ka një ndeshje të fortë përballë Laçit, pasi miqtë rrezikojnë jo vetëm titullin, por edhe pjesëmarrjen në Kupat e Europës. Ndërsa, shkodranët përveç “finales” me Laçin, do të kenë një finale në Kupën e Shqipërisë përballë Skënderbeut, të hënën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore