Lajme

77 policë e 221 ushtarë u dorëhoqën vitin e kaluar


77 zyrtarë policorë janë dorëhequr gjatë vitit të kaluar. Këto shifra i bëri të ditur Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, duke raportuar në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes më 26 mars.

“Gjatë vitit të kaluar 77 zyrtarë policorë dhe staf civil kanë dhënë dorëheqje, është trend në gjithë botën po edhe tek ne po vazhdon”, tha Hoxha para deputetëve.

Ndërkaq në tre muajt e parë të vitit 2024, sipas Sindikatës së Policisë së Kosovës edhe 13 policë të tjerë kanë dhënë dorëheqje për shkak të pakënaqësive me kushtet e punës.

Për herë të parë prej themelimit të Policisë së Kosovës, pjesëtarët e njësiteve elitare policore janë detyruar të dalin në protesta dy herë gjatë vitit të kaluar.

Ata kanë kërkuar të kategorizohen si njësi të veçanta dhe të përfshihen në listën e ekspertëve, ndërsa rrezikshmëria të përcaktohet në 50 për qind të pagës bazë dhe të ketë shtesa për kushte specifike të punës.

Përfaqësuesit e NjSI/FIT ishin takuar me kryeministrin Albin Kurti në mes të nëntorit, rreth dy javë pas protestës së parë, por ndonëse takimi kishte zgjatur më shumë se dy orë, nuk është arritur ndonjë marrëveshje për shkak se kreu i ekzekutivit nuk ka pranuar të tërhiqet nga pozicioni i tij në raport me kërkesat e specialëve.

Madje, Pjesëtarët e NjSI-së kishin mbetur të shtangur nga Kurti, kur gjatë takimit të përbashkët që u zhvillua vitin e kaluar, kryeministri i Kosovës iu tha se ajo çfarë kanë bërë me 24 shtator kur u përballën me terroristët serbë nuk përbën ndonjë sukses të madh nga ana e tyre, meqë thjesht “i keni vrarë tre veta nga distanca me snajper”.

Ndërsa, gjatë muajit shkurt, Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, kishte njoftuar se 221 pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës e kanë ndërprerë punën në këtë institucion që nga viti 2023.

Sipas tij, më shumë se gjysma prej tyre janë larguar për mundësi jashtë FSK-së, duke lëvizur nëpër institucionet tjera.

“221 pjesëtarë të FSK-së kanë ndërprerë shërbimin gjatë vitit 2023. Shumica e tyre, 129 për mirëqenie, mundësi jashtë institucionit, lëvizje në Policinë e Kosovës”, kishte thënë Maqedonci gjatë raportimit në Komisionin për Siguri.

Albanian Post prej kohësh ka raportuar për pakënaqësitë e mëdha në FSK, që kanë sjellur edhe të largimi i një numri të madh pjesëtarësh nga radhët e ushtrisë.

Në vitin 2022, për shkak të “nepotizmi e pagave të vogla” ishin larguar 127 ushtarë, që për një ushtri të vogël si kjo e Kosovës, ishte konsideruar një numër alarmant.

AP pati raportuar gjithashtu edhe për një tjetër skandal brenda FSK-së kur u kuptua se qindra pjesëtarë kishin aplikuar për viza pune në Gjermani.

Sipas asaj që kishte kuptuar AP, bëhej fjalë për rreth 800 ushtarë të Kosovës që kishin aplikuar për viza pune. Shifra nuk ishte demantuar asnjëherë nga ministria, apo nga kryeministria e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore