Lajme

Hoxha: 77 policë janë dorëhequr vitin e kaluar – është trend në gjithë botën


Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, duke raportuar në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, ka thënë se 77 zyrtarë policorë janë dorëhequr gjatë vitit të kaluar.

“Gjatë vitit të kaluar 77 zyrtarë policorë dhe staf civil kanë dhënë dorëheqje, është trend në gjithë botën po edhe tek ne po vazhdon”, tha Hoxha.

Ndryshe, për herë të parë prej themelimit të Policisë së Kosovës, pjesëtarët e njësiteve elitare policore janë detyruar të dalin në protesta dy herë.

Ata kanë kërkuar të kategorizohen si njësi të veçanta dhe të përfshihen në listën e ekspertëve, ndërsa rrezikshmëria të përcaktohet në 50 për qind të pagës bazë dhe të ketë shtesa për kushte specifike të punës.

Përfaqësuesit e NjSI/FIT ishin takuar me kryeministrin Albin Kurti në mes të nëntorit, rreth dy javë pas protestës së parë, por ndonëse takimi kishte zgjatur më shumë se dy orë, nuk është arritur ndonjë marrëveshje për shkak se kreu i ekzekutivit nuk ka pranuar të tërhiqet nga pozicioni i tij në raport me kërkesat e specialëve.

Madje, Pjesëtarët e NjSI-së kishin mbetur të shtangur nga Kurti, kur gjatë takimit të përbashkët që u zhvillua të mërkurën e 15 nëntorit, kryeministri i Kosovës iu tha se ajo çfarë kanë bërë me 24 shtator kur u përballën me terroristët serbë nuk përbën ndonjë sukses të madh nga ana e tyre, meqë thjesht “i keni vrarë tre veta nga distanca me snajper”.

Albanian Post ekskluzivisht ka kuptuar çfarë është biseduar në mes të pjesëtarëve të NjSI-së, grupit elitë të policisë, të njohur edhe si FIT dhe Albin Kurtit, i cili u ka thënë se nuk mund t’ua plotësojë kërkesat e prezantuara, sepse “nuk mund të dorëzohem para jush”.

Përfaqësuesit e NjSI-së, pas muajsh pritje dhe premtime nga Qeveria, kur panë kategorizimin e shtesave për njësitet speciale të policisë, kuptuan se kërkesat e tyre për kategorizim si njësi të veçanta dhe përfshirje në listën e ekspertëve nuk janë marrë parasysh.

NjSI shpesh portretizohet si krenaria e shtetit dhe shëmbëlltyrë e zhvillimit dhe profesionalitetit të organeve të Kosovës. Në përgjithësi, Policia e Kosovës në sondazhe del si një nga institucionet më të besueshme dhe më të respektuara për qytetarët e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore