Lajme

Maqedonci: Mbi 200 pjestarë të FSK-së u larguan gjatë vitit 2023


Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, gjatë paraqitjes së raportit vjetor të punës për vitin 2023 në Komisionin për Siguri, ka bërë të ditur se mbi 200 pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), janë larguar për të lëvizur në institucione të tjera.

“221 pjesëtarë të FSK-së kanë ndërprerë shërbimin gjatë vitit 2023. Shumica e tyre, 129 për mirëqenie, mundësi jashtë institucionit, lëvizje në Policinë e Kosovës”, ka thënë Maqedonci.

Ai është deklaruar edhe rreth raportimeve se meritat i takojnë ish kryeministri Ramush Haradinaj, për sigurimin e sistemit anti-tank amerikan “Javelin” për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).

Maqedonci në fjalën e tij, ka pohuar se kërkesa për këtë sistem ishte bërë në mars të vitit 2022.

“Jo, kërkesa për Javelin-et është bërë në mars të 2022-ës. Ish kryeministri Haradianaj, ka qenë kryeministri i pari që e adresoi kërkesën për hapjen e programit”, ka thënë ai, teksa u pyet nga deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Bekë Berisha.

Sa i përket transportit të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), ai theksoi se janë duke punuar për të rregulluar çështjen e transportimit të tyre.

“Ne kemi një kontratë që është bërë me një kompani, por ne e mbulojmë edhe linja me kapacitete tona. Vlerësojmë që aktualisht nuk është e përhershme, por gjithmonë do të synojmë që për pjesëtarët e FSK-së të rregullohet çështja e transportit të tyre”.

Më 11 janar, Maqedonci se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) pranuar kërkesën e Kosovës për blerjen e sistemit anti-tank Javelin dhe armatime tjera, ndërsa Departamenti i Shtetit (DASH) pritet t’ia përcjellë kërkesën Kongresit të SHBA-së – një masë që synon rritjen e aftësive mbrojtëse të kombit të vogël ballkanik.

Në dispozicion të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), përveç sisitemit të fuqishëm turk “OMTAS” për shkatërrimin e tankeve dhe mjeteve të blinduara, pritet të jetë edhe sistemi anti-tank amerikan “Javelin”, i cili shkaktoi sensacion në fushëbetejën e Ukrainës kohën e fundit – një simbol i rezistencës së forcave ukrainase ndaj agresionit të Rusisë.

Sistemi anti-tank Javelin është një prej armëve më të sofistikuara në botë, i cili përdoret për shkatërrimin e tankeve dhe mjeteve të blinduara, ndërsa mund të operojë në të gjitha kushtet e atmosferike, ditën dhe natën, madje nuk kërkon kontroll të mëtejshëm pas lëshimit të raketës në drejtim të objektivit.

Ajo mund të përshkojë 2 kilometra për afërsisht 14 sekonda.

Pesha e përgjithshme e sistemit të prodhuar nga njësia raketore Lockheed dhe Raytheon (RTX), duke përfshirë platformën e kontrollit dhe raketën në tubin e lëshimit është rreth 22 kilogramë, ndërsa raketa peshon rreth 15 kilogramë.

Ajo shkon drejt objektivit përmes rrezeve infra të kuqe, ndryshe nga armët e mëparshme anti-tank që duhet të drejtohen nga operatori.

Operatori mund të ripozicionohet menjëherë pas lëshimit.

Raketa mund të arrijë shpejtësinë deri në 150 metra në sekondë (540 km/h) pas lëshimit. Sistemi verpon në një distancë nga 65 deri në 4000 metra, ndërsa një Javelin, duke përfshirë sistemin e lëshimit dhe raketën, kushton rreth 180 mijë dollarë amerikanë. SHBA e përdori për herë të parë në Irak dhe Afganistan.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore