Shqipëria

730 mijë qytetarë plotësisht të vaksinuar


“Afro 730 mijë qytetarë janë sot plotësisht të vaksinuar me dy doza vaksine anti-COVID”

Këtë e ka konfirmuar ministrja e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, përmes një postimi në median sociale Twitter, të dielën e 19 shtatorit.

Gjithashtu ka bërë të ditur se deri më tani janë kryer 1 milion e 647 mijë e 18 vaksinime në të gjithë vendin.

Shtatori është muaj i hapur vaksinimesh në Shqipëri dhe ritmi, jo vetëm që ka mbajtur fluksin e gushtit, por edhe është shtuar më tej.

Vetëm në 24 orët e fundit, në Shqipëri janë vaksinuar 13 mijë e 362 persona kundër COVID-19. Ndërsa, prej ditës së djeshme, mbi 1.5 milionë persona, kanë marrë të paktën një dozë.

Më saktësisht, janë 1 milion e 527 mijë e 801 të vaksinuar me një dozë në Shqipëri. Prej tyre, thuajse gjysma e kanë përfunduar procesin me të dy inokulimet e nevojshme.

Varianti Delta i ka shtuar së shumti rastet me COVID-19 në Shqipëri. Po ashtu, edhe vdekjet.

Për këtë arsye, apeli për t’u vaksinuar është i vazhdueshëm.

Falë fushatës së hapur, çdo adult mbi 18 vjeç, ka mundësinë të vaksinohet duke u paraqitur në çdo qendër shëndetësore apo qendrat e posaçme të vaksinimit.

Ekipe të vaksinimit derë më derë janë po ashtu në terren për të dhënë shërbime tek personat që nuk kanë mundësi t’u drejtohen qendrave.

Sasi dozash vijnë ndërkaq çdo javë, ku totali i tyre po afrohet me 2 milion.

Një tjetër shqetësim që është ngritur, është ai i dozave stok. Sipas përllogaritjeve, rreth 400 mijë të tilla janë ende të papërdorura.

Ndërsa opsioni për vaksinimin të detyrueshëm në disa sektorë, po shihet si i mundshëm gjatë vjeshtës.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore