Shqipëria

600 mijë shqiptarë të imunizuar me dy doza, 1.4 milionë me një


“600 mijë qytetarë janë vaksinuar plotësisht në Shqipëri”.

Këtë e ka bërë të ditur ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, nëpërmjet një postimi në median sociale Twitter, të enjten e 26 gushtit.

“Është një përshtypje shumë e gabuar kur thua se ‘nëse nuk më ka zënë deri tani virusi, jam imun ndaj tij’”.

Kështu e ka nisur gjatë kësaj dite video-mesazhin Prof. Dr. Silva Bino, shefja e Departamentit të Epidemiologjisë pranë ISHP-së.

Sipas Binos, “çdo person mund të infektohet nga COVID-19. Ata mund të kenë qenë të infektuar, por në mënyrë asimptomatike”.

Prandaj Bino thekson faktin se variantet e reja në qarkullim mund të sjellin infektimin, kështu që vaksinimi është mbrojtja e vetme.

“Duke mos qenë të vaksinuar, mund të bëhen forma të rënda të sëmundjes. Madje mund të shtrohen në spital dhe mund të sjellin dhe vdekjen”.

Në përfundim të video-s, Dr. Bino bën thirrje se, “kjo është arsyeja që, pavarësisht e ka kaluar apo jo COVID-19, duhet të vaksinohet”.

Fushata e vaksinimit të hapur është e vetmja mënyrë për të luftuar virusin, sipas Manastirliut.

Po ashtu, edhe kryeministri Edi Rama ka ftuar të gjithë qytetarët shqiptarë që të përfitojnë nga muaji gusht, e më pas shtator për t’u vaksinuar.

Kjo fushatë me përfundimin e muajit gusht, shtatori do të ketë ditët e saj “për të mbrojtur jetën dhe shëndetin, duke u vaksinuar sa më parë”.

Aktualisht, Shqipëria administron mbi 1 milion e 899 mijë e 172 vaksina. Vaksinat e përdorura janë: Pfizer, AstraZeneca, Sputnik V dhe Sinovac.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore