Bota

56% e amerikanë kërkojnë shkarkimin e Trump


56% e amerikanëve kërkojnë shkarkimin e presidentit, Donald Trump, vetëm dhjetë ditë përpara përfundimit të mandatit të tij. Kjo shifër është bërë e ditur nga një sondazh i realizuar nga ABC News dhe Ipsos Polls.

Gjysma e amerikanëve kërkojnë që ai të shkarkohet ose të vihet në lëvizje Amendamenti i 25-të. Një pjesë e tyre, mendojnë se ai duhet të dorëhiqet vetë. Ndërkohë, 43%, mendojnë se asnjë veprim nuk duhet ndërmarrë.

Kjo është një ndër përqindjet më të larta historike për shkarkimin e një presidenti në SHBA. Në shtator të vitit 2019, 40% e amerikanëve kërkonin shkarkimin e Trump-it. Kjo, pas debateve të shumta në distancë midis Trump-it dhe kryekongresmenes, Nancy Pelosi.

Përpara këtyre debateve, shkarkimi i Trump-it, as që mendohej.

Një krahasim është bërë dhe me sondazhet mbi shkarkimin e presidentit, Bill Clinton, pas aferës së zbuluar me Monica Lewinsky. Në kulmin e debateve mbi aferën, kërkesa për shkarkimin e Clinton-it nuk shkoi kurrë mbi 40%.

Pakënaqësia e popullit kundrejt Trump-it, është historike për 50 vjeçarin e fundit të politikës amerikane.

Ajo që bie në sy më shumë, është kundërvënia që vetë republikanët kanë ndaj Trump-it. Një pjesë e mirë e senatorëve republikanë janë kundër tij. Një pjesë e kongresmenëve republikanë, kërkojnë gjithashtu shkarkimin e Trump-it.

Hapa konkretë priten të merren të hënën e 11 janarit në Kongres. Është bërë me dije se ligjvënësit demokratë do të dorëzojnë kërkesën për shkarkimin e Trump-it.

Koha për të vepruar, gjithsesi, është shumë e shkurtër. Në 20 janar, Trump i dorëzon detyrën presidentit të zgjedhur, Joe Biden./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore