Bota

SHBA/Do të shkarkohet Trump 12 ditë përpara përfundimit të presidencës?


Pas protestave të dhunshme, tentativës për bllokim dhe certifikimit të Joe Biden-it si president, gjithë sytë janë nga Amendamenti i 25-ë, i cili mund të rrëzojë Trump-in vetëm 12 ditë përpara përfundimit të presidencës.

Senatorë dhe kongresmenë amerikanë kërkojnë me ngulm shkarkimin e Donald Trump-it nga posti i presidentit. Ndër emrat kryesorë që e kërkojnë këtë, janë kryetarja e Kongresit, Nancy Pelosi dhe kreu i demokratëve në Senat, Chuck Schumer.

Thirrjes së tyre, i janë bashkuar edhe ligjvënës të tjerë amerikanë.

Schumer deklaroi pas certifikimit të zgjedhjeve se do t’i bëjë me dije zëvendëspresidentit amerikan Mike Pence, “kërkesën për shkarkimit e Trump-it”.

“I kërkojmë zëvendëspresidentit, Mike Pence, të vërë në funksion amendamentin e 25-ë dhe të shkarkojë Trump-in”, deklaroi ndërkohë Pelosi. “I bashkohem plotësisht thirrjes së senatorit Schumer”.

Zyrtarisht, nuk ka ende asnjë reagim nga Pence lidhur me çështjen. CNN-i ka bërë me dije se sipas burimeve të tyre, “Trump dhe Pence nuk kanë folur që pas certifikimit të zgjedhjeve”.

Çfarë është Amendamenti i 25-ë?

Në terma të gjerë, Amendamenti i 25-ë i Kushtetutës amerikane parashikon “Pamundësinë e presidentit për të kryer detyrën”. Në katër pikat e Amendamentit, përfshihen edhe rastet e sëmundjeve dhe pamundësive mendore.

Ky Amendament parashikon më së shumti rastet kur presidenti shpreh vetë paaftësinë e çastit për të vepruar ose nuk ka aftësi të veprojë.

Por në rastin e Trump-it, kemi një president që ka aftësi veprimi! Madje, një president që vazhdon të mos pranojë rezultatin e zgjedhjeve dhe bën thirrje për protesta.

Pse është Pence i rëndësishëm?

Klauzola që po kërkojnë me ngulm ligjvënësit amerikanë, është shkarkimi direkt i presidentit. Kjo mund të arrihet duke caktuar paaftësisë për të vepruar të presidentit. Këtë e propozon zëvendëspresidenti dhe kabineti.

Pence, është i vetmi që mund ta propozojë shkarkimin në bazë të Amendamentit. Më pas është Senati dhe Kongresi që duhet ta miratojnë.

Cilat janë hapat pas kërkesës?

Kërkesa për shkarkim, gjithsesi, mund të kundërshtohet nga presidenti. Ai mund t’i dërgojë Senatit një letër me arsyet pse nuk duhet shkarkuar.

Pavarësisht kësaj, i fundit që vendos është Kongresi. Por, edhe Kongresi, miratimin duhet ta kryejë me 2/3 e kuorumit.

Për shkak të specifikave, një shkarkim i mundshëm i Trump-it, duket shumë i vështirë, dhënë balancën e madhe që ka në Senat dhe Kongres./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore