Lajme

5 ndërmjetësuesit që s’kanë kryer punë zbarkojnë në Kosovë e Serbi – çfarë pritet të ndodhë?


Ilustrim

Kur diplomatët evropianë e amerikane do të zbarkojnë të shtunën e 21 tetorit në Kosovë e më pastaj në Serbi, vetëm 27 ditë pas sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit, me vete – mes shumë porosive të tjerë – do të sjellin një kërkesë të qartë: ri-startimin e dialogut e ri-sjelljen e palëve në tryezën e dialogut, pohojnë njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare.

I deleguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, kur të shtunën do të takojë fillimisht, Albin Kurti e më pastaj Aleksandër Vuçiç-in, pranë vetes, për të dytën herë me radhë, përveç të deleguarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar, do të ketë këshilltarin numër një të presidentit të Francës për politikë të jashtme, Emmanuel Bonne, këshillëdhënësin kryesor të kanceralit gjerman për diplomaci, Jens Ploetner dhe Francesco M. Talo, këshilltarin e kryeministres së Italisë, Giorgia Melini, për politikë të jashtme.

Ndërmjetësuesit do të tentojnë të ringjallin procesin për të disatën herë me radhë, meqë i njëjti ka hyrë në një rreth viciozë me shumë kriza brenda e pak hapa konkretë në implementimin e Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit, e cila u konsiderua si një “arritje historike”.

Vizita në Kosovë dhe Serbi e grupit që njihet si “Pesëshja e madhe” është e para që nga sulmi i 24 shtatorit kundër policisë së Kosovës në Banjë të Zveçanit.

Albin Kurti e Aleksandar Vuçiç, ishin takuar për herë të fundit në një takim të nivelit të lartë në kuadër të dialogut, më 14 shtator.

Në atë takim ata kishin dështuar që të pajtoheshin për një plan për sekuencimin e zbatimit të Marrëveshjes Bazë.

Për këtë, BE-ja ia kishte lënë përgjegjësinë palës kosovare, ndonëse kishte thënë se të dyja palët kanë dështuar në përmbushjen e obligimeve nga marrëveshja e arritur në dialog.

Ndërkohë 10 ditë më vonë më 24 shtator një grup serbësh të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës, duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Gjatë përleshjeve, autoritetet thanë se u vranë edhe tre sulmues.

Kosova e ka fajësuar Serbinë për sulmin duke theksuar se Beogradi zyrtar tentoi ta “aneksojë tërë Veriun e Kosovës”, por Beogradi ka thënë se nuk ka gisht në të.

Përgjegjësinë për organizimin e sulmit e mori Milan Radojiçiç, i cili dha dorëheqje nga posti i nënkryetarit të Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Por, çfarë pritet të ndodhë më 21 tetor?

Abit Hoxha, ligjëruesi në Universitetin Adger, beson se “Pesëshja e madhe” do të tentojë t’i ri-ndez përsëri motorët e procesit të dialogut, duke ri-sjellë palët në tryezën e bisedimeve pa kushte.

E ky fokus i Uashingtonit, Brukselit, Parisit, Berlinit, e Romës, do të vë në vështirësi Kosovën, beson Hoxha, kjo për faktin se tashmë Kosova pas 24 shtatorit e ka në tryezë një kusht.

Autoritete kosovare, pas sulmit terrorist, po kërkojnë dënimin e Serbisë fillimisht meqë sipas kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dialogu me Beogradin zyrtar “nuk mund të vazhdohet sikur nuk ka ndodhur asgjë”.

Se top-diplomatët perëndimorë për ta bindur Kosovën e Serbinë nuk do ta kursejnë as ushtrimin e presionit të madh, e thotë ligjëruesi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi.

Nga Kosova, beson Arifi, do të kërkohet si pikë e parë tranzitore, mbajtje e zgjedhjeve në Veri sa më shpejtë që të jetë e mundur.

“Kjo do të ishte pika më e rëndësishme”, thekson ai për Albanian Post duke shtuar se “Asociacioni do të lihet për një fazë paksa më të vonshme, pas një muaji ose dy muaji”.

Në anën tjetër Serbia, nënvizon më tej Arifi, veç e ka marr një vërejtje të madhe tashmë me Rezolutën e Parlamentit Evropian.

“Do të merr ndoshta edhe një vërejtje, por po besoj se kjo do të përfundoj me kaq, nuk do ta bëjnë Serbinë përgjegjëse direkte”.

Por, çfarë pozicioni duhet të marrë Kosova në takim me korpusin diplomatik evropiano-amerikan?

Autoritetet kosovare, në këtë rast i pari i Qeverisë, duhet të ndërrojë qasjen e bashkëpunimit dhe komunikimit me bashkësinë ndërkombëtare, në rend të parë, meqë sipas Hoxhës marrëdhëniet në mes të tyre numërojnë shumë hapësira të cilat duhen përmirësuar.

“Tani, Kosova duhet të përmbush kërkesat për de-përshkallëzim të BE-së”, thotë Hoxha.

Në anën tjetër për Arifin, Kosova, në këtë fazë, duhet që publikisht të bëjë presion më të madh ndaj komunitetit ndërkombëtar, në fakt të insistojë të ndryshojë formatin e dialogut apo thënë ndryshe të insistojë që dizginët e procesit t’i kalojnë Francës e Gjermanisë.

“Sepse në fund të ditës këta janë vendet vendimmarrëse në BE, apo vendet që mund t’i bëjnë presion të gjitha vendeve të tjera që hezitojnë ta njohin Kosovën”.

Kosova përveç se duhet të participojë në dialog, Arifi, vlerëson se ajo duhet të artikulojë kërkesa shumë të mëdha kundrejt BE-së.

“Çdo kërkesë që nuk e ka njohjen nga pesë vendet e BE-së nuk është serioze pas 24 shtatorit”, shton ai.

Duke komentuar nevojën e zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit, Arifi, thekson se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duhet ta negociojë këtë ujdi me Perëndimin, e jo me Serbinë.

“Esenca është që ne, dialogun bilateral me perëndimin duhet ta vazhdojmë deri sa t’i përfundojmë zotimet, mirëpo edhe perëndimi ka zotime që duhet t’i përfundojë karshi Kosovës”.

Abit Hoxha dhe Dritëro Arifi

E, çka nëse Kurti refuzon të bashkëpunojë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë?

Atëherë, Hoxha nënvizon se një refuzim i tillë do të armiqësojë edhe më tutje raportet Kosovë – Perëndim.

“Ndoshta çështja kryesore është se ku do të përfundoj Kosova në agjendën ndërkombëtare. Tanimë, Kosova ka humbur shumë në raport me partnerët ndërkombëtar dhe një refuzim i tillë do të armiqësoj edhe më tutje këto raporte”.

Nëse Kurti refuzon çfarëdo forme të bashkëpunimit në procesin e normalizimit atëherë pasojat më të mëdha, sipas Arifit, do të jenë për Kosovën, e jo për Kurtin.

“Nëse ne i themi një JO të madhe për çfarëdo thellimi të normalizimit, atëherë mund të penalizohemi më shumë me financa, kjo do të ishte një goditje shumë e madhe për zhvillimin dhe ekonomin e Kosovës”, potencon Arifi.

Marrë për bazë faktin se Kosova që nga qershori i këtij viti është nën masat ndëshkuese të Unionit pas mos-gatishmërisë së saj për ta de-përshkallëzuar situatën në Veri të Kosovës nën direktivat e BE-së, Arifi thotë se Kurti duhet të insistojë në largimin e tyre, meqë ato nuk kanë më kuptim.

“Kurti ka përgjegjësi jashtëzakonisht të madhe. Nëse e bënë Asociacionin çka fiton Kosova, nëse nuk e bënë çka humb Kosova, pra këto duhet t’i peshojë jashtëzakonisht mirë me një analizë të thellë dhe me një kalkulim matematikor, se ku janë benefitet dhe ku janë humbjet e Kosovës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore