Muzikë

5 këngët shqiptare më të klikuara të verës 2021


Me prurje të reja muzikore, artistët e estradës shqiptare nuk zhgënjyen edhe në verën e vitit 2021, përkundër situatës me pandemi.

Madje, për fat të tyre, atyre edhe ju lejua t’i prezantojnë këngët e reja edhe pranë publikut pasi që autoritetet shqiptare i dhanë dritën jeshile funksionimit të klubeve të natës për një kohë të caktuar gjatë sezonit veror.

Ndërkohë, “beteja”, për hitin e verës ishte e madhe edhe gjatë këtij viti, ndërsa artistët që dominuan nuk është se janë në grupin e këngëtarëve të rinj.

Butrint Imeri, Kida, Ledri Vula, Dhurata Dora, Noizy e Dafina Zeqiri,  ishin vetëm disa nga artistët që arritën të qëndronin përsëri në epiqendër të listës së “artistëve më të suksesshëm”.

Kështu të paktën tregojnë shifrat që projektet e tyre kanë arritur të grumbullojnë në platformën YouTube.

Albanian Post ju prezanton me pesë këngët më të klikuara të kësaj vere.

Rep artistët, Ledri Vula dhe Majk, kishin publikuar këngën e tyre me titull “Marr”, me 9 qershor të këtij viti.

Ndërkaq, projekti shumë i pëlqyer i dyshes deri më tani numëron mbi 21 milionë klikime në YouTube.

I vetmi artist, i cili ka arritur që pa bashkëpunim dhe i vetëm, të dominojë me klikime në platformat e publikimeve, përfshirë edhe YouTube, gjatë gjithë sezonit të nxehtë veror është këngëtari – Butrint Imeri.

Kënga e tij “Dujëm”, e publikuar me 23 qershor të këtij viti, aktualisht numëron mbi 23 milionë klikime në YouTube, ndërsa ishte pjesë e pandashme e playlistave të DJ-ve anë e mbanë trojeve shqipfolëse.

E vetëm tre ditë para projektit “Marr” të Majk dhe Ledri Vulës, me 6 qershor të këtij viti, ishte publikuar kënga “Pa ty”, e artistëve Cricket dhe Muma në bashkëpunim me këngëtaren, Dafina Zeqiri.

Ndërkohë, “Pa ty” ishte ndër hitet e padiskutueshme të kësaj vere dhe projekti muzikor në platformën YouTube, ka arritur të grumbullojë hiq më pak se 32 milionë klikime.

Mes tjerash, kombinimet e artistëve mes atyre nga Kosova me ata nga Shqipëria, gjithmonë kanë dëshmuar të rezultojnë të këndshme për tu parë dhe të adhurueshme për tu dëgjuar, ndërsa suksesi i tyre nuk vihet fare në diskutim.

Madje, gjatë kësaj vere kishim disa të tilla si; Elvana Gjata me Yll Limanin, Xhensila Myrtezaj me Lumi B apo edhe Noizy me Dhurata Dorën.

Por, nga këto bashkëpunime, Noizy dhe Dhurata, kanë dominuar me klikime ani pse projektin e kanë publikuar pothuajse të fundit nga të tre bashkëpunimet e lartpërmendura.

Kënga “Mi Amor” nga rep artisti, Rigels Rajku, i njohur si – Noizy dhe këngëtarja, Dhurata Dora, për momentin numëron plot 35 milionë klikime në YouTube.

Edhe pse shumë hite u prodhuan dhe u publikuan e u mirëpritën nga publiku, kurorën e video projektit muzikor më të klikuar nga artistët shqiptarë e mban kënga “Dale”, një bashkëpunim mes këngëtarëve të dëshmuar të skenës tonë – Ledri Vula, Kida dhe Butrint Imeri.

“Dale” e lansuar me 3 korrik të këtij viti, aktualisht numëron mbi 50 milionë klikime në YouTube, duke u bërë kështu video projekti muzikor më i shikuar gjatë sezonit veror të vitit 2021.

Gjithsesi, të suksesshme kanë rezultuar edhe një mori këngësh tjera, përfshirë projektin muzikor, “Nina” nga Bruno, Flori Mumajesi dhe Klajdi Haruni, “Ay Caramba” nga Gjiko, Melinda Ademi e Nora Istrefi, “Magji” nga Capital T dhe Kidda e po ashtu “Prit Pak” e Xhensila Myrtezajt në bashkëpunim me Lumi B.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore