Shqipëria

5 dhoma të huaja tregtie publikojnë planin me 6 pika, i kërkojnë Qeverisë ndërhyrje urgjente për klimën e biznesit


Pesë dhoma të huaja tregtie në Shqipëri, përmes një deklarate për shtyp, kanë shpalosur një plan të detajuar sa i takon klimës së biznesit në vend, duke i kërkuar ndërhyrje urgjente me reforma, për të përmirësuar mjedisin e sipërmarrjes.

Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri (AmCham), Dhoma Gjermane e Tregtisë (DIHA), Dhoma Italiane e Tregtisë, Confindustria Albania dhe Dhoma Franceze e Tregtisë, janë bashkuar në këtë deklaratë të përbashkët.

Letra publike, nis me një vetëdije për potencialin e fuqisë punëtore shqiptare.

Megjithatë, sipas tyre, klima e biznesit vijon të mbetet një ndër tre sfidat kryesore të sipërmarrjes në Shqipëri, duke theksuar se mjedisi është joefektiv dhe ka nevojë për përmirësime të konsiderueshme.

“Si një vend aspirant për anëtarësimin në BE, ne i bëjmë thirrje Qeverisë Shqiptare, Parlamentit dhe Agjencive të tjera publike përgjegjëse që të angazhohen me reforma gjithëpërfshirëse ekonomike dhe investimesh”, përshkruhet në letrën publike.

Gjashtë pika, janë paraqitur aty.

E para lidhet me miratimin e një strategjie investimi, udhëhequr nga nivelet më të larta të Qeverisë, e cila të përfshijë reduktimin e ndjeshëm të pengesave burokratike, miratimin e një sistemi të bazuar në rregulla për lëshimin e lejeve dhe ngritjen e një sistemi nxitës incentivash të bazuar mbi shumën e investimeve dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

E dyta, ka të bëjë me zbatimin e një pakete kundër korrupsionit. Kjo, sipas dhomave të tregtisë, forcon përputhshmërinë e masave kundër ryshfetit me standardet e OECD-së dhe që siguron transparencë në veprimtarinë e agjencive publike.

Po ashtu, do të rriste ndjeshëm besimin e komunitetit të biznesit në përgjithësi dhe veçanërisht të kompanive të huaja që investojnë në Shqipëri.

Një rritje e efikasitetit dhe besumeshmërisë së sistemit të Prokurimit Publik, duke miratuar Standardet e të Dhënave të Hapura të Kontraktimit (Open Contracting Data Standards) në proceset e prokurimeve, duke eliminuar “përjashtimet e veçanta” nga prokurimi i fondeve publike dhe duke ju dhënë gazetarëve dhe shoqërisë civile më shumë akses në dosjet dhe të dhënat mbi procesin e prokurimeve, është pika e tretë e planit.

E katërta, lidhet me krijimin e një procesi efektiv Konsultimi Publik, duke ngritur mekanizma zbatimi në legjislacionin ekzistues dhe duke përfshirë në këtë proces edhe Vendimet e Këshillit të Ministrave. Ky duhet të sigurojë transparencë dhe përfshirje të qytetarëve si edhe të grupeve të interesit.

Sistemi i taksave ka nevojë të modernizohet, për t’u përputhur me standardet ndërkombëtare të kontabilitetit (IFRS), për të reduktuar paqëndrueshmërinë me anë të prezantimit të ligjeve të reja tatimore jo më shpesh se çdo 4 vjet dhe luftës kundër informalitetit në ekonomi. Kjo do të krijojë një regjim taksimi më të parashikueshëm dhe më të qëndrueshëm, për të tërhequr investimet e huaja dhe ato vendase, sipas dhomave.

Ndërsa, pika e gjashtë dhe e fundit, lidhet me një Këshill të ri Ekonomik Kombëtar (KEK), ku sugjerohet që ai të vendosë në mënyrë të veçantë në vëmendje investimet e huaja të drejtpërdrejta dhe aktiviteti i tij të përcaktohet në legjislacion, si një institucion zyrtar nëpërmjet një mekanizmi të përbashkët të administrimit publik dhe sektorit privat.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore