Shqipëria

44-vjeçari vendos kallëpe tritoli në banesën e dikujt tjetër dhe njofton Policinë, vihet në pranga


Në Vorë, një 44-vjeçar është vënë në pranga pasi la një sasi lënde plasëse në oborrin e banesës së një 46-vjeçari, gjatë natës, dhe më pas njoftoi Policinë.

Nga veprimet hetimore dyshohet se 44-vjeçari e bëri këtë me qëllim që pronari i banesës të ngarkohej me përgjegjësi penale, për mbajtje të lëndës eksplozive.

Sakaq, Policia ka sekuestruar dy kallëpe me tritol, së bashku me fitilin ndezës, dy detonatorë dhe veshjet që ka mbajtur autori gjatë vendosjes së lëndës eksplozive.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vorë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë në çdo formë të saj, menjëherë kanë organizuar operacionin policor të koduar “Mesnata”, për kapjen dhe vënien e autorit përpara përgjegjësisë ligjore.

Si rezultat i operacionit u arrestua shtetasi S. M., 44 vjeç, banues në Prezë.

Pas kallëzimit se shtetasi K. K., 46 vjeç, mbante lëndë plasëse (tritol) në banesë, shërbimet e Policisë kanë ushtruar menjëherë kontroll dhe në oborrin e kësaj banese kanë gjetur të mbështjella në një qese plastmasi dy kallëpe me lëndë të dyshuar plasëse tritol, së bashku me fitilin ndezës, dhe dy detonatorë.

Pas deklarimit të shtetasit K. K. se nuk ishte ai poseduesi i lëndës plasëse, shërbimet e Policisë kanë kryer veprime hetimore nga të cilat ka rezultuar se lënda plasëse ishte vendosur në oborrin e kësaj banese, nga shtetasi S. M., me qëllim që 46-vjeçari, pronari i banesës, të ngarkohej me përgjegjësi penale, për mbajtje të lëndës eksplozive.

Ndërkohë, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy kallëpet me tritol, së bashku me fitilin ndezës, dy detonatorët dhe veshjet që ka mbajtur autori gjatë vendosjes së lëndës eksplozive.

Materialet i kanë kaluar Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore