Lajme

4 zyrtarë nga Ranilluku, akuzohen për keqpërdorime nga Prokuroria Themelore në Gjilan


Prokuroria Themelore Gjilan

Nën dyshimet për keqpërdorime të një tenderi në Komunën e Ranillugut, Prokuroria Themelore në Gjilan ka ngritur aktakuzë kundër katër personave.

Për shkak që rasti ende nuk ka filluar të gjykohet, identiteti i katër të dyshuarve jepet vetëm me iniciale, nga prokuroria.

G.J., I.Gj., B.Gj. dhe S.D, akuzohen se me dashje e kanë kryer këtë vepër.

“Që nga muaji janar i vitit 2018, në Ranillug, të pandehurit e lartshënuar, si persona zyrtar në komunën e Ranillugut, me dashje kanë tejkaluar kompetencat ose nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare”.

“Në tenderin me titull ‘’Rindërtimi dhe përmirësimi i ndriçimit rrugor në komunën Ranillugut për vitin 2018’’, të njëjtit nuk i kanë përmbushur detyrimet që dalin nga vendimi, duke mos iu përmbajtur paramasës dhe parallogarisë së këtij tenderi, ashtu që me mos veprimet e tyre kanë dëmtuar buxhetin e komunës në shumë prej 8 mijë e 307 euro”.

Krejt kjo, siç e shpjegon prokuroria në aktakuzë “në favor të një operatori ekonomik në Prishtinë, duke i pranuar gjashtë pozicione të pa kryera si pozicione të kryera”.

“Të cilat vizualisht shihen në disa fshatra të komunës së Ranillugut, ku në secilin fshat numrat e pozicioneve ndryshojnë por përshkrimi i punëve është i njëjtë, e pas pranimit teknik komuna e Ranillugut i paguan si pozicione të kryera”, thuhet në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria.

Me këto veprime, të njëjtit dyshohet se kanë kryer veprën penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’.

95.6% e popullsisë në komunën e Ranillugut janë qytetar serb.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore