Lajme

376 shqiptarë të vrarë, disa prej tyre ende të zhdukur – 24 vjet nga masakra e Mejës


Ilustrim

Është një nga masakrat më të mëdha në Kosovë. Më 27 prill të vitit 1999, në fshatin Mejë të Gjakovës u vranë 376 persona, shqiptarë të pa armatosur.

24 vjet më parë, forcat serbe rrethuan Rekën e Keqe dhe Lugun e Carragojës në rrethinën e Gjakovës. Brenda disa orëve u krye ekzekutimi më makabër dhe masakra më e madhe në luftën e Kosovës gjatë viteve 1998-1999.

Në këtë operacion të planifikuar mirë, u ndërprenë të gjitha rrugët duke lënë të hapura vetëm dy rrugë të cilat të qonin në drejtim të Mejës.

Grumbullimi i djemve dhe burrave në grupe nga mosha 15-60 vjeç filloi në orët e hershme të mëngjesit.

Jo vetëm nga Meja, por nga 15 fshatrat e rrethit të Gjakovës, u ekzekutuan të gjithë djemtë dhe burrat shtëpi për shtëpi, ata që kishin mbetur.

Njësitet e ushtrisë serbe, policia, beretat e kuqe, paramilitarët, fqinjët e maskuar krijuan kordonin me imazhet e Srebrenicës duke ekzekutuar 376 meshkuj shqiptarë në atë që njihet si dita e festës së Jugosllavisë së fundit e cila nën vallen e gjakut ishte krijuar me lojërat e juristëve të Slobodan Millosheviçit më 27 prill 1992.

 

Atë ditë asnjëri nga të ndalurit nuk arriti të dilte i gjallë nga Meja dhe pas luftës trupat e masakruar të tyre, disa u gjetën nëpër varreza masive nëpër Kosovë kurse të tjerët janë ende të zhdukur, për të cilët ka informacion se janë ende diku nëpër Serbi.

Përkundër kërkesave të familjarëve dhe organizatave të ndryshme në Kosovë që trupat e tyre të kthehen nga Serbia, kjo gjë është zvarritur nga shteti serb dhe ende nuk është bërë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore