Lajme

36 ferma të pulave janë prekur nga gripi i shpezëve në Kosovë


Ilustrim i fotografise

36 ferma të pulave janë prekur nga gripi i shpezëve që u paraqit në Kosovë. Në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë kanë thënë për Albanian Post se të gjitha këto ferma janë ekonomi familjare.

Zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Lamir Thaçi, ka thënë për Albanian Post, se deri më tani janë prekur vetëm fermat e ekonomive familjare, e që sipas tij, këto ferma “kanë fond të vogël të shpezëve, e që gjithsejtë janë të prekura vetëm 36 ferma deri ne këto momente”.

“Të gjithë fermerët komercialë të mbajtjes së shpezëve janë njoftuar për masat që duhet t’i ndërmarrin për vetë mbrojtje apo sistem të vetëkontrollit, për t’i ruajtur shpezët në ferma. Kjo deri më tani është duke u arritur me sukses. Sektori i shpeztarisë në Kosovë është mirë i zhvilluar, kanë kapacitete teknike dhe humane për të ndërmarrë veprimet e duhura të bio sigurisë në fermat e tyre për të parandaluar infektimin”, ka thënë Thaçi për Albanin Post.

Sipas tij, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë që nga rasti i parë i paraqitjes së dyshimeve për prezencën e gripit të shpezëve në Kosovë, ka ndërmarrë të gjitha veprimet konform udhëzimit administrativ për luftimin e kësaj sëmundje.

“Menjëherë është krijuar shtabi i krizës. Përmes Drejtorisë së Shëndetit dhe Mirëqenies së Kafshëve janë duke u koordinuar aktivitete, ndërsa veprimet operative në teren janë duke ekzekutuar nga inspektorët Veterinar të AUV-së. Janë ndërmarre të gjitha veprimet me kohë për parandalim të përhapjes se sëmundjes. Si autoritet kemi ngritur nivelin e kontrollit me të gjitha kapacitetet”, ka theksuar Thaçi.

Ai ka deklaruar se të gjitha rastet qe lajmërohen janë duke i trajtuar shpejt dhe me profesionalizëm.

“Po kryhen hulumtimet diagnostike, merren mostrat dhe testohen, fermat që dalin pozitiv asgjësohen. Të gjitha veprimet janë duke u mbikëqyr, qe te rrisim efikasitetin e punëve për të parandaluar përhapjen masive”.

Thaçi pohoi se “sipas hulumtimeve shkencore të cilat i  gjeni në faqen zyrtare të OIE-së, nuk ka fakte evidente  se mishi i shpezëve dhe vezët mund ta bartin sëmundjen tek njeriu, “mirëpo rekomandohet që shpezët e sëmura dhe vezët nga shpezët e prekura nga kjo sëmundje duhet të asgjësohen dhe të ndalohet vendosja e tyre në zingjirin ushqimorë”.

“Prandaj, sugjerojmë që konsumatori të ketë kujdes gjatë furnizimit me mish të shpezëve dhe vezë. Furnizimin me mish të shpezëve ta bëhet vetëm nga operatoret ekonomik te aprovuar dhe regjistruar ,në marketet dhe dyqanet e autorizuara dhe jo në tregjet e kafshëve ku therja ndodh aty për aty nga operatorë ilegal”, thotë Thaçi.

Ndërsa rasti i parë i konfirmuar me gripin e shpezëve në Kosovë është bërë publike me 29 maj 2021 në një njoftim nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë

“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë pas kryerjes se hulumtimeve diagnostikuese në fermat e dyshimta. Mostra e testuar në Laboratorin e Ushqimit dhe Veterinarisë kanë detektuar prezencën e Gripit të shpezëve Influenca Aviane A Subtipizimi H5 dhe N8 ( Gripi i shpezëve H5N8). Testi është kryer në Strishot orofaringeale (pulë) me metodën Real Time RT-PCR.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore