Lajme

34% e të mbijetuarve nga Covid kanë “sëmundje truri”


Një në tre njerëz të infektuar nga Covid-19, të cilët i kanë mbijetuar sëmundjes, kanë simptoma të problemeve të shëndetit mendor apo atyre neurologjike.

Studimi i revistës shkencore Lancet Psychiatry, tregon shifra alarmante për sa i përket shëndetit mendor të njerëzve të shëruar nga Covid. 34% e tyre, kanë shfaqur diagnoza neurologjike ose psikologjike. Kjo, brenda gjashtë muajve pas infektimit.

Shqetësimi më i vëzhguar ka qenë ankthi, i shfaqur në 17% të pacientëve. Çrregullimet e humorit janë shfaqur tek 14% e tyre.

Problemet neurologjike ndërkaq, janë më të shfaqura tek ata që kanë qenë të hospitalizuar. Gjithsesi. janë të shfaqur edhe në ata njerëz që e kanë kaluar me simptoma të lehta.

“Përqindja u rrit në mënyrë progresive me rritjen e rëndesës së shkallës së Covid tek pacientët”, bëri me dije akademikja e Universitetit të Oxfordit, Maxime Taquet. “Nëse shohim pacientët e hospitalizuar, shkalla rritet në 39%”.

“Rezultatet tona tregojnë se sëmundjet e trurit dhe ato psikiatrike janë më të shfaqura tek pacientët me Covid. Kjo, në krahasim me ata që kanë pasur thjesht grip ose probleme frymëmarrjeje”.

Përtej krizës që ka sjellë në shëndetësi dhe ekonomi, Covid-19 ka goditur edhe psikologjikisht gjithë botën. Disa studime janë ndërmarrë për të parë nivelin e ankthit, stresit dhe depresionit për shkak të pandemisë.

Rezultatet e thuajse të gjithë studimeve, sugjestionojnë se pandemia ka shkaktuar edhe një krizë mendore botërore. Mbi të gjitha, për elemente si karantinimi apo pamundësia për të udhëtuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore