Shqipëria

Meta: Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, bashkë në rrugëtimin evropian


Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, duket se ka ndryshuar qëndrim sa i përket ndarjes së vendit nga Maqedonia e Veriut, në rrugëtimin e tyre drejt Bashkimit Evropian.

I ftuar në emisionin televiziv “Click Plus” në MV, Meta u shpreh se, nuk dëshiron që Shqipëria të ndahet nga Maqedonia e Veriut.

Ai shtoi që duhet të bëhen më shumë përpjekje që të dyja vendet të shkojnë së bashku drejt kësaj rruge, duke gjetur një zgjidhje me Bullgarinë.

Kjo, që çështjet bilaterale të mos bëhen pengesë për aderimit e ndonjë shteti në union.

Më herët në dhjetor të vitit të kaluar, presidenti shkruante se “përparimi i secilit vend në bazë të meritave individuale ka qenë një nga parimet kyç të miratuara në Samitin e Selanikut në vitin 2003”.

Ai ka premtuar se do të vazhdojë të mbështesë dhe inkurajojë çdo hap, që çon sa më parë drejt anëtarësimit evropian, në përmbushje të objektivit strategjik kombëtar.

Nga ana tjetër ka theksuar se mbetet me bindjen e plotë se Maqedonia e Veriut ka bërë përparim të jashtëzakonshëm qoftë me zbatimin e reformave, qoftë me arritjen e një Marrëveshjeje historike si ajo e Prespës.

Përparimi i Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë është bllokuar për shkak të vetos së Bullgarisë për fillimin e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut.

Në intervistën e tij, Meta u pyet edhe për nismën e “Ballkanit të Hapur”, për të cilën tha se nuk mund “të bëj avokatin e një nisme që deri më tani ka ndërruar tri herë emrin”.

“Nisma nuk është gjithëpërfshirëse, më shumë ka pasur debate mbi këtë nismë se sa rezultate”, shpjegoi ai.

Sa i përket ngjarjeve në selinë blu, Meta tha se përgjegjësia e vetme i takon kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

“Përgjegjësia ekskluzive për dështimet e opozitës i takon Lulzim Bashës”, deklaroi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore