Lajme

33 aktakuza me 89 të akuzuar për krime lufte janë ngritur gjatë 2023-ës nga Prokuroria Speciale


Prokuroria Speciale e Kosovës.

33 aktakuza me 89 të akuzuar për krime lufte gjatë 2023-ës janë ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës, institucion ky kompetent për të hetuar krimet e luftës.

Aktakuza më e madhe e ngritur deri më tani për krime lufte të kryera në Kosovë, është ngritur në vitin 2023.

Në mesin e 89 të akuzuarit për krime lufte, 53 janë të akuzuar për masakrën në fshatin Meje të Komunës së Gjakovës, ku në këtë masakër ishin vrarë e masakruar 370 shqiptarë, aktakuzë kjo e ngritur më 8 dhjetor 2023.

Mirëpo, asnjë nuk është arrestuar deri tani nga institucionet.

Ndërsa, rasti më i madh që është në proces të hetimeve lidhur me kryerjen e krimeve të luftës, është masakra e Burgut të Dubravës, raporton Betimi për Drejtësi.

Sipas PSRK-së lidhur me ketë masakër, janë gjithsej 88 të pandehur, por vetëm njëri prej tyre është në paraburgim.

Në këtë masakër ishin vranë 160 të burgosur shqiptarë dhe u plagosën më shumë se 300 të tjerë. Kjo masakër zgjati disa ditë, përkatësisht nga 19 deri më 24 maj 1999.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë, më 1998-1999, janë vrarë rreth 13 mijë e 500 persona, shumica dërrmuese shqiptarë.

Prej këtyre viktimave, 76 për qind besohet se ishin civilë.

Ndërkaq, për nga përkatësia etnike, 10 mijë e 794 janë shqiptarë, 2 mijë e 197 serbë, kurse të tjerët u përkasin përkatësive tjera etnike.

Një plagë tjetër e luftës janë edhe rreth 1 mijë e 600 persona të pagjetur, kryesisht shqiptarë.

Në përfundim të misionit të tij, Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, ka rekomanduar që vendet e ish-Jugosllavisë ku përfshihej edhe Kosova t’i hetojnë dhe trajtojnë krimet që janë kryer në territorin e këtyre vendeve.

Instituti për hetimin e krimeve të luftës në Kosovë, pritet të dokumentojë krimet e kryera gjatë luftës duke siguruar edhe të dhëna të humbjeve në njerëz, dëmeve fizike dhe shpirtërore apo psikologjike, dëmeve ekonomike apo materiale, dëmeve në ambient, pronës kulturore, dhe llojet e tjera të dëmeve të shkaktuara nga krimet e kryera gjatë luftës.

Instituti do të hulumtojë dhe dokumentojë rrethanat, në të cilat janë kryer krimet gjatë luftës duke bërë grumbullimin, verifikimin, sistemimin dhe ruajtjen e të dhënave, si dhe siguron qasjen publike për viktimat dhe palët e interesuara në pajtim me legjislacionin në fuqi.

Serbia akoma nuk i ka pranuar krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë 1998-99.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore