Lajme

32 tanke Leopard do të shkojnë në Ukrainë, 28 të tjerë në pritje


Është vërtetuar deri tani dërgimi i 32 tankeve Leopard drejt Ukrainës, ku kontributor kryesor janë Gjermania me 14 të tillë, Polonia me po aq si edhe Kanadaja me katër.

Ndërkohë, 28 të tjerë pritet të dërgohen po ashtu, ku me nga tetë do të japin ndihmë Norvegjia, Finlanda dhe Spanja, si edhe me katër, Portugalia.

I gjithë ky zhvillim i madh ka ardhur në një hark të shkurtër kohor, pas një mohimi të gjatë nga ana e Berlinit, për t’i dërguar tanket dhe me një shtytje shumë të madhe nga Polonia, ku kryeministri, Mateusz Morawiecki, bëri gjithçka mundi në ndihmë të Kievit.

Përpjekja e tij tashmë është e shpërblyer, pasi dërgesa mundet të nis menjëherë.

Nga ana tjetër, SHBA-të janë zotuar që të dërgojnë tanket amerikane Abrams në Ukrainë, në ndihmë të rezistencës që po bëhet kundrejt agresorit rus.

Ky vendim i amerikanëve, mund të ketë qenë edhe shkëndija përfundimtare e nevojshme, për të bindur Gjermaninë në vendimin përfundimtar pranues, për dërgimin e tankeve.

Vetë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e ka cilësuar këtë vendim si ndër më të rëndësishmit, i cili do të shërbejë jo vetëm për t’u mbrojtur nga Rusia, por edhe si një mundësi për të rimarrë nën kontroll territoret e humbura pas nisjes së fushatës ushtarake ruse në Ukrainë, më 24 shkurt 2022.

Pse janë të rëndësishme për luftën në Ukrainë, tanket amerikane Abrams?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore