Sport

300 milionë euro dhe vetëm 35 gola, zëvendësuesit e Ronaldo-s janë dështim


Real Madrid-i ka nënshkruar me gjashtë sulmues që nga koha kur Cristiano Ronaldo u transferua në Torino. Madrilenët arkëtuan 100 milionë euro në korrikun e 2018-s nga ky transferim dhe u mendua si një lëvizje e zgjuar nga ana e klubit, duke parë edhe moshën e lojtarit, që i kishte kaluar të 30-at.

Klubi vërtet përfitoi në aspektin ekonomik fillimisht, por me largimin e Ronaldo-s do të dilnin në pah problematika të tjera.

Portugezi me Juventus-in ka shënuar 95 gola, ndërkohë që gjashtë zëvendësuesit e tij në Madrid, së bashku kanë shënuar 35 gola.

Koha tregoi se largimi i yllit portugez la shumë boshllëqe te Los Blancos, ku golat janë kryesorët.

Skuadra spanjolle për të mbuluar këto boshllëqe ka shpenzuar 304 milionë euro. Përkatësisht, Eden Hazard-i u ka kushtuar 115 milionë euro, Vinicius-i 45 milionë, Rodrygo 45 milionë, Mariano Diaz-i 22 milionë, Luka Joviç-i 60 milionë dhe Brahim Diaz-i 17 milionë.

Më shumë se paratë e shpenzuara, zhgënjimi më i madh vjen në aspektin e shënimit të golave. Të gjashtë sulmuesit kanë relizuar 35 herë, përkatësisht, Vinicius-i 13 gola, Rodrygo tetë gola, Diaz-i gjashtë gola, Hazard-i katër gola, Joviç-i dy gola dhe Diaz-i po dy gola.

Në krahun tjetër, Ronaldo ka arritur 95 gola në 122 paraqitje me bardhezinjtë. Këtë sezon ka arritur të shënojë 30 gola në 30 ndeshje. Në sezonin debutues, shënoi 28 gola në 43 ndeshje. Dhe në sezonin e kaluar arriti të shënonte 37 gola në 46 ndeshje.

Së fundm,i Ronaldo shënoi tripletë në ndeshjen e fundjavës, përballë Cagliari-t. Golat u shënuan që në pjesën e parë të takimit, të cilin Juventus-i e fitoi me shifrat 1-3 në Sardenjë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore